75 Mall Live Search
15:17 / E Shtunë, 08 Qershor 2019 / indeksADMonline

Protesta e opozitës, Policia: Disponojmë informacione shqetësuese

Policia e Shtetit, nëpërmjet zv.drejtores së Përgjithshme Aida Hajnaj, i bëri thirrje të gjithë pjesëmarrësve në protestën e opozitës që të mos tejkalojnë kufijtë e ligjit.

Kjo thirrje vjen pasi, sipas Hajnajt, policia disponon “informacione shqetësuese”.

“Për shkak të informacioneve shqetësuese që Policia disponon, në vazhdën e protestave të shkuara të të njëjtave subjekte politike, u bëjmë thirrje të gjithë pjesëmarrësve të mos tejkalojnë kufijtë e ligjit. Po ashtu, nisur nga ngjarja e rëndë e protestës së kaluar ku protestues të dhunshëm goditën me shufra metalike protestues paqësorë, u bëjmë thirrje organizatorëve të largojnë nga turma njerëz me maska apo me mjete të forta në duar, duke ia dorëzuar menjëherë Policisë. Policia e Shtetit ka konstatuar me shqetësim se mes të ndaluarve në protestat e shkuara ka individë me precedentë të rëndë penale, siç ishte rasti i njërit prej dhunuesve të dy protestuesve paqësorë, i dënuar për trafik ndërkombëtar droge”, u shpreh Hajnaj.

“I bëjmë thirrje të drejtpërdrejtë organizatorëve të marrin të gjithë përgjegjësinë e tyre për moslejimin e devijimit të protestës. Po ashtu ri-kujtojmë se përdorimi i mjeteve piroteknike është jo vetëm i paligjshëm, po edhe tejet i rrezikshëm për shëndetin e jetën e punonjësve të Policisë dhe qytetarëve. Policia e Shtetit do t’i qëndrojë strikt parimit demokratik të proporcionalitetit dhe është e përgatitur të reagojë në proporcion të plotë, me çdo akt dhune”, shtoi zv.drejtoresha e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.