12:39 / E Shtunë, 25 Mars 2023 / shkelqim osmanaj

Protesta e PSD-së, policia del me njoftim

Policia ka bërë të ditur se janë bërë përgatitjet e nevojshme operacionale policore, para protestës së PSD-së, e cila pritet të zhvillohet sot me fillim nga ora 14:00.

Në njoftimin e tyre thuhet se policia ka filluar me kohë përgatitjen dhe ndërmarrjen e masave për mbarëvajtjen e protestës.

“Policia e Kosovës e njeh të drejtën e shprehjes së lirë, pakënaqësive (protestës) si e drejtë ligjore. Lidhur me këtë PK-ja, ka filluar me kohë përgatitjen dhe ndërmarrjen e masave që kanë për qëllim mbarëvajtjen e protestës, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, ofrimin e sigurisë për qytetarët, mbrojtjen e pronës dhe ofrimin e sigurisë në trafik”, thuhet në njoftim.

Policia gjithashtu ka bërë të ditur se do të ndërmarrin masat e nevojshme për të siguruar që protesta të kalojë pa ndonjë incident.

“Policia do të ndërmerr masat e nevojshme preventive, operative policore për të siguruar që mbarëvajtja e protestës të kalojë pa ndonjë incident, që pjesëmarrësit në protestë të shprehin qëllimin e tyre në mënyrë demokratike dhe në suaza ligjore”.

“Sipas procedurave të parapara policia do të merr masa dhe do të shtojë aktivitetet operative para, gjatë dhe pas përfundimit të protestës. Me këtë rast fton qytetarët, pjesëmarrësit në protestë që protesta të zhvillohet e qetë duke respektuar ligjet e vendit dhe që kërkesat e tyre t’i shpalosin në mënyrë demokratike e ligjore”, thuhet tutje në njoftimin e policisë.