Protesta në Novi Sad, kujtimi që kërkon drejtësi
Një ditë pas heshtjes që përfshiu qytetin e Novi Sadit, në vendin e tragjedisë, përpara Stacionit Hekurudhor, mbetën lule, qirinj dhe mesazhe kujtimi, dëshmi e dhimbjes që edhe pas një viti nuk është shuar.
Tragjedia e 1 nëntorit 2024, kur u shemb streha e sapo rinovuar e stacionit dhe mori jetën e 16 qytetarëve, u përkujtua të shtunën me një tubim komemorativ që mblodhi një numër të madh qytetarësh nga e gjithë Serbia dhe rajoni.
Përvjetori i kësaj ngjarjeje të paprecedentë nisi me leximin e emrave të gjashtëmbëdhjetë viktimave, pas së cilës në qiell u lëshuan pëllumba të bardhë – simbol i paqes, shpresës dhe dinjitetit. Qytetarët u mblodhën me thirrjen e lëvizjes “Studentët në bllokadë” për të nderuar të rënët dhe për të kërkuar drejtësi, të vërtetën dhe përgjegjësi institucionale.
Ceremonia nisi pikërisht në orën 11:52 – momenti kur një vit më parë ndodhi tragjedia. Gjatë aksionit “16 minuta heshtje për viktimat”, qyteti heshti, ndërsa më pas të pranishmit vendosën kurora dhe ndezën qirinj në vendin e ngjarjes.
Përpara Stacionit Hekurudhor foli Nagja, studente e Fakultetit Filozofik, e cila theksoi se edhe pas një viti asgjë thelbësore nuk ka ndryshuar.
“Gjashtëmbëdhjetë viktima, asnjë përgjegjës dhe e njëjta porosi: duart e tyre janë me gjak. Në 11:52 atyre iu mor e drejta më elementare njerëzore – e drejta për jetë. Disa nëna atë ditë nuk mundën të marrin fëmijët e tyre në telefon, dhe asnjëherë më. Pse? Sepse për dikë ishte më e rëndësishme të vidhte miliona sesa të respektonte ligjin. Gjashtëmbëdhjetë jetë u morën, e viktima e shtatëmbëdhjetë ende po shërohet,” tha Nadja.
Me një fjalim thellësisht emocional foli edhe Dijana Hrka, nëna e Stefan Hrkës, një prej 16 viktimave, duke paralajmëruar se do të hyjë në grevë urie.
“Duhet ta di kush e vrau fëmijën tim, kush vrau 16 njerëz. Dikush duhet të mbajë përgjegjësi për këtë. Sot është dita më e trishtuar për ne të gjithë, Novi Sadi po qan, por unë po luftoj që asnjë nënë, asnjë motër të mos qajë më,” tha ajo.
Për shumë të pranishëm, komemorimi nuk ishte vetëm kujtim, por edhe thirrje për përgjegjësi institucionale.
“Kur ndodhi, isha pafundësisht e trishtuar sepse humba kolegen time, por edhe e zemëruar, sepse këta njerëz nuk duhej të vdisnin. Sot, pas gjithë kësaj, trishtimi është i njëjtë, por ndjenja e padrejtësisë edhe më e madhe. Nuk ka përgjegjës, e ne që kërkojmë të vërtetën na shtyjnë, na arrestojnë dhe na frikësojnë,” tha një qytetare e Novi Sadit.
“Asnjëherë në jetën time nuk jam ndier më keq. Isha këtu atë ditë, qava, zemra më rrihte fort. Kjo diktaturë duhet të marrë fund,” tha një qytetar.
Studentët ecën me ditë nga pjesë të ndryshme të Serbisë për të marrë pjesë në komemorim në Novi Sad. Ata deklaruan se lufta për të vërtetën do të vazhdojë.
“Mendoj se si shoqëri jemi ndryshuar. Dhimbja që ndjejmë nuk është më vetëm pikëllim, por forcë e përbashkët për të luftuar kundër korrupsionit dhe për të mos lejuar që diçka e tillë të ndodhë më,” tha Llenka Millosavleviq, studente nga Beogradi.
Gjatë ditës, në qytet u vendosën pika ndihme mjekësore, ndërsa qytetarë dhe vullnetarë dhuruan ujë, ushqim dhe pije freskuese për pjesëmarrësit.
Gjatë gjithë ditës, rrugët e Novi Sadit ishin të mbushura me qytetarët.
Programi i protestës u zhvendos nga Stacioni Hekurudhor në Kejin e Novi Sadit. Në mbrëmje, nga lumi Danub, studentët lëshuan 16 fenerë – një për secilën viktimë.
Dita përfundoi me një tjetër aksion “16 minuta heshtje” në Kej, me një transparent të studentëve.
“Shihemi nesër dhe çdo ditë tjetër, derisa të ketë drejtësi.”
Sipas qytetarëve, për tragjedinë e 1 nëntorit 2024 përgjegjësinë më të madhe e mban pushteti, korrupsioni i përhapur dhe kontratat e dyshimta me kompanitë kineze të ndërtimit që morën pjesë në rinovimin e stacionit.
Protestat që pasuan tragjedinë u shndërruan në një lëvizje të gjerë qytetare që kërkon zgjedhje të parakohshme dhe ndryshime shoqërore të thella.
Sipas Prokurorisë për Krim të Organizuar, hetimi aktualisht përfshin 15 persona, por deri më sot nuk është ngritur asnjë aktakuzë dhe nuk janë nisur procese gjyqësore.
Për shumë qytetarë, kjo është arsye shtesë për të vazhduar betejën për drejtësi, në emër të 16 viktimave dhe në emër të një shoqërie që dëshiron të jetojë pa frikë, padrejtësi dhe gënjeshtra.

