18:07 / E Shtunë, 07 Tetor 2017 / indeksADMonline

Protesta në Rusi në ditën e lindjes së Putinit

Mbi 100 persona janë arrestuar në Rusi pasi mbështetësit e liderit të opozitës ruse Alexei Navalny kanë zhvilluar protesta në 80 qytete të vendit.

Protestat bien në të njëjtën kohë me ditëlindjen e presidentit rus Vladimir Putin, që mbush 65 vjeç. Protestuesit kanë kërkuar që Navalny të lejohet të marrë pjesë në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm.

Shumica e manifestimeve kanë qenë të paligjshme, përfshirë ato të zhvilluara në Moskë dhe Shën Pietërburg.

Aktualisht Navalny po shlyen një dënim prej 20 ditësh në burg për shkelje të ligjit për organizimin e mitingjeve. Kjo është hera e tretë që ai dërgohet prapa hekurave.

Autoritetet elektorale ruse deklarojnë se ai nuk mund të garojë në zgjedhjet e marsit për shkak të një dënimi tjetër që ka marrë, por që i është pezulluar.

Në muajt e fundit Navalni ka udhëtuar në mbarë Rusinë në përpjekje për të realizuar fushatë elektorale. Ai pritej që këtë të shtunë të mbante mitingun e radhës në Shën Peterburg, që është dhe qyteti i lindjes i presidentit Putin.

Organizatorë të tjerë të mitingut dhe kryetarë të lëvizjes demokratike Rusia e Hapur, e mbështetur nga ish-bosi i naftës Mikhail Khodorkovsky, janë arrestuar gjithashtu. Të tjerë janë arrestuar pasi ishin mbledhur në sheshin Pushkin të Moskës.

Protestuesit kanë mbajtur parulla “Rusia e lirë”, “Lironi Navalnin”, etj. Të tjerë manifestues kanë bërë thirrje që presidenti Putin të mos garojë në zgjedhje./tch