75 Mall Live Search
21:08 / E Premte, 17 Tetor 2025 / F.R

Protesta në Tiranë, Kurti ishte sot në Holandë

Gjersa sot po mbahej protesta në Tiranë në përkrahje të ish-ushtarëve të UÇK-së, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ndodhej në Holandë, ku mori pjesë në Kongresin e Partisë së Socialistëve dhe Demokratëve Evropianë (PES), që po mbahet në Amsterdam.

Në këtë kongres, Lëvizja Vetëvendosje ngriti statusin e saj në PES, duke u bërë parti e asociuar në këtë organizatë politike evropiane statusi më i lartë që një parti nga një shtet joanëtar i BE-së mund të ketë në një familje politike evropiane.

Kurti, në fjalimin e tij para delegatëve, falënderoi udhëheqësit e PES-it për pranimin e Vetëvendosjes dhe theksoi përkushtimin e Kosovës ndaj vlerave evropiane të demokracisë, drejtësisë dhe solidaritetit. Ai kërkoi gjithashtu që Bashkimi Evropian të heqë masat ndëshkuese ndaj Kosovës dhe t’i dorëzojë Komisionit Evropian pyetësorin për anëtarësim, si hap drejt statusit të vendit kandidat.

Në këtë kongres, krahas Kurtit, morën pjesë edhe Sekretari Organizativ i LV-së, Alim Rama, dhe anëtarja e Kryesisë, Tinka Kurti.

Në fund të fjalimit, Kryeministri Kurti u bëri thirrje forcave progresiste evropiane të forcojnë unitetin dhe demokracinë, përballë sfidave të reja që kërcënojnë kontinentin.

“Le ta forcojmë demokracinë dhe solidaritetin përballë forcave të errëta të fashizmit të ri dhe ta shkruajmë bashkë historinë e mendimit e veprimit të ri social-demokratik për të mirën e të gjithë qytetarëve evropianë”, tha Kurti./IndeksOnline/