Protesta para Rektoratit/ Kërkohet shkarkimi i Ardian Kastratit nga UP-ja

Aktivistë të shoqërisë civile kanë organizuar sot protestë kundër gjuhës seksiste nga stafi akademik i Universitetit të Prishtinës, si dhe kanë kërkuar përjashtimin e Ardian Kastratit nga UP-ja.

Në një prononcim para mediave, Liridona Sijarina, njëra prej aktivisteve që është marrë me këtë organizim tha se seksistët nuk duhet të paguhen me taksat e qytetarëve.
“Ardian Kastrati mbrëmë e ka komentu në mënyrë fyese dhe denigruese fizikun e saj (presidentes Osmani)…Kjo gjuhë shkakton gjuhë të urrejtjes, e kur kjo bëhet nga personat publikë e aq më shumë profesorët duhet dënuar…”, tha ajo.

“Rektori duhet menjëherë të themelojë një komision hetues që ta hetojë procesin e punësimit të profesorit Ardian Kastrati. Ne kërkojmë që të shkarkohet Këshilli Drejtues i UP-së dhe kërkojmë nga ministrja e Arsimit, sepse që tri vjet kemi zvarritje që po ndodhin brenda UP-së dhe po ndodh gratë me u ballafaqu me situata që ngacmohen dhe nuk kanë ku me u mbrojtë. Këshilli duhet menjëherë me miratu draft-rregulloren për parandalim dhe mbrojtjen seksuale dhe kjo duhet të ndodh deri të premten”.

Protesta është mbajtur para dyerve të Rektoratit të Prishtinës nën brohoritjet “Shkarkim” dhe “seksistat jashtë”./IndeksOnline/
