Protesta të reja në Evropë kundër kufizimeve për pandemi

Trazira të reja kanë shpërthyer në Holandë kundër vendimit të bllokimit mes rasteve në rritje të Covid-19 në Evropë, raporton BBC.
Qytetarët hodhën fishekzjarre ndaj policisë dhe dogjën biçikletat në Hagë, një natë pasi protestat në Roterdam u bënë të dhunshme dhe policia hapi zjarr.
Një natë e dytë e trazirave shpërtheu të shtunën në disa qytete holandeze.
Rebelë me kapuç i vunë flakën biçikletave në rrugët e Hagës, ndërsa policia përdori kuaj, qen dhe shkopinj për të përzënë turmat.
Zyrtarët kanë shpallur një urdhër emergjence në qytet dhe të paktën shtatë persona janë arrestuar.
Deri më tani janë raportuar pesë policë të plagosur, dhe dhjetëra qytetarë të tjerë.
Situata eskaloi edhe në stadiumet e futbollit, ku nuk lejohen tifozët për shkak të masave të pandemisë. Dhjetëra holandezë hynë me dhunë në dy stadiume ku po zhvilloheshin ndeshje dhe vrapuan në fushë.
Mijëra demonstrues dolën gjithashtu në rrugët e Austrisë, Kroacisë dhe Italisë, të zemëruar për masat e kufizimit.
Në anën tjetër, Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se ishte shumë e shqetësuar për rritjen e rasteve të koronavirusit në kontinent.
Drejtori i saj rajonal Dr Hans Kluge i tha BBC-së se nëse masat nuk forcohen në të gjithë Evropën, gjysmë milioni vdekje të tjera mund të regjistrohen deri në pranverën e ardhshme.
“Covid-19 është bërë edhe një herë shkaku numër një i vdekshmërisë në rajonin tonë”, tha ai.
Shumë qeveri në të gjithë kontinentin po sjellin kufizime të reja në një përpjekje për të trajtuar infeksionet në rritje. Një numër vendesh kanë raportuar kohët e fundit një numër rekord të lartë të rasteve ditore.