“Protestat, momentum historik e vendimtar për iranianët”, Hoxhaj: Mund të ketë një rikonfigurim politik!
Protestat që kanë përfshirë Iranin konsiderohen si kryengritja më e madhe politike e 20 vjetëve të fundit.
I ftuar në emisionin “Kafe Shqeto” në Syri Tv, ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, shprehet se këto zhvillime mund të sjellin një ndryshim rrënjësor politik në vend, mbështetur fuqishëm nga një diasporë iraniane më e organizuar se kurrë për të mbështetur ndryshimin.
Ky momentum vjen në një kohë, sipas ish-diplomatit, kur ndikimi i Iranit në rajonin e Lindjes së Mesme ka pësuar një rënie dhe humbje të ndjeshme. Nëse populli iranian arrin të marrë kontrollin e institucioneve, ndryshimi politik mund të përmbyllet me sukses, duke shënuar një epokë të re jo vetëm për vendin, por thekson Hoxhaj, edhe duke krijuar një rikonfigurim të ri politik në Lindjen e Mesme.
Këto ngjarje shihen edhe si derivat i një politike të re, më të qartë amerikane dhe perëndimore. Ndryshe nga qasjet e kaluara që kërkonin një balancë gjeopolitike delikate, situata aktuale reflekton një ndryshim në dinamikat e fuqisë, me një forcim të Izraelit dhe Arabisë Saudite dhe një tërheqje të Rusisë dhe Iranit.
Kjo klimë e re, shton sërish ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, u jep mundësi fuqive perëndimore të mbajnë një qëndrim më të prerë ndaj regjimit klerik. Por ndërsa vëmendja është në Lindjen e Mesme, “era e ndryshimit” që fryn nga Perëndimi mund të sjellë pasoja të paparashikuara dhe jo domosdoshmërisht pozitive për Ballkanin.
Presioni atmosferik politik që po krijohet, thekson ndër të tjera Hoxhaj, mund të ndikojë drejtpërdrejt në stabilitetin dhe të ardhmen e rajonit. Sipas parashikimeve, viti 2026 pritet të jetë një vit veçanërisht i vështirë për Ballkanin, e sidomos për Kosovën. Shqetësimi kryesor lidhet me ndryshimet e thella politike që priten në fuqitë kryesore evropiane si Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe.
Ajo se çfarë po ndodh në Iran është, në fakt, protesta dhe kryengritja më e madhe politike që është bërë në këta 20 vjetët e fundit. Dhe këtë e them si dikush i cili ka pasur mundësi të jetë në kontakt me shumë iranianë të cilët jetojnë në diasporë dhe të cilët kohët e fundit janë më se të vendosur dhe të organizuar që ta mbështesin ndryshimin politik në, në Iran. Po edhe në bazë të asaj se çfarë kam pasur dhe çfarë ka ndodhur në këto vitet e fundit. Jam më se i bindur që nëse populli i Iranit do të qëndrojë në rrugë, do t’i marrin institucionet, do ta bëjnë betejën e tij politike, mund të përmbyllet ndryshimi politik. Nëse kemi parasysh edhe humbjen e ndikimit që ka Irani në rajon, një humbje e ndikimit e cila dhe një rënie e fuqisë iraniane në rajon e cila ka pësuar ndryshim radikal në këto dy vjetët e fundit.
Prandaj edhe e shoh si një momentum historik vendimtar për iranianët, po edhe për lindjen e mesme, që pas tërheqjes së Rusisë, pas izolimit të Iranit, të ketë një rikonfigurim politik, i cili do të ishte në interes jo vetëm të popujve që jetojnë atje, por edhe të shqiptarëve, edhe ju në Shqipëri dhe ne në Kosovë. Me që administratat e kaluara kanë bërë përpjekje që të bëjnë zgjidhje politike më shumë në interes të një balance gjeopolitike, nëse kemi parasysh përpjekjet amerikane dhe europiane para disa vjetësh që ta kufizojnë pasurimin me uranium të Iranit, ku arsyet gjeopolitike kanë mbizotëruar sa i takon ndryshimit të brendshëm. Tashti e kam përshtypjen që ndryshimi gjeopolitik ka ndodhur në lindjen e mesme. Është një fuqizim i Izraelit, është një fuqizim i Arabisë Saudite, i shteteve të gjirit.
Është një tërheqje e Rusisë, një tërheqje e Iranit dhe kjo situatë ia mundëson presidentit Trump, por edhe perëndimorëve që të jenë më të qartë dhe që t’i largojnë mbeturinat e regjimit klerikan në Iran. Nuk mendoj asnjëherë që ato se çfarë ndodhin në Lindjen e Mesme mund të ndërlidhen në Ballkan. Viti 2026 është një vit i vështirë për Ballkanin, mund të jetë një vit i vështirë edhe për Kosovën, mund të jetë një vit i vështirë edhe për Evropën. Shqetësimet të cilat mbi të gjitha unë i kam është që është duke ndodhur një ndryshim i madh politik në Gjermani, në Francë, në Britani të Madhe, që atje mund të jenë në pushtet forcat të cilat nuk kanë ndonjë interesim të veçantë për Ballkanin. Sikurse Le Pen-i apo AfD-ja apo reforma në Britani të Madhe, të cilët nuk e dimë se çfarë qëndrimi mund të kenë në raport me me me me Kosovën. Prandaj do të jetë një vit i cili në veten e tij paraqet një dramë të madhe dhe një ndryshim të madh.

