Protestat në Serbi, raportohet se disa studentë janë sulmuar me shkopinj bejsbolli

Studentë dhe qytetarë, mijëra prej tyre, kanë kaluar natën duke bllokuar Autokomandën, një nga nyjat më të mëdha të trafikut në kryeqytet.
Kjo bllokadë do të zgjasë 24 orë, saktësisht deri në orën 10 të mëngjesit, ndërsa studentët kanë bërë thirrje për një takim paqësor për t’i kujtuar qeverisë edhe një herë kërkesat që i kanë prej dy muajsh.
Mirëpo siç po raportohet situata është tensionuar gjatë natës, pasi studentët janë sulmuar me shkopinj bejsbolli.
“Katër burra me shkop bejsbolli që dolën nga ambientet e Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet sulmuan një grup studentësh në Novi-Sad herët në mëngjes të së martës, duke lënë një vajzë të plagosur rëndë dhe disa të tjera me lëndime të lehta”, raporton “Jutarnji list”, duke citur mediat rajonale në Serbi të cilat i janë referuar një njoftimi të studentëve protestues.
Studentët shpjegojnë se katër burra me shkopinj bejsbolli ndoqën një grup studentësh.
“Sulmi ndodhi kur një studente dhe një student i Fakultetit të Mjekësisë ngjitën një afishe në një kosh plehrash para ambienteve të Partisë Progresive Serbe. Më pas nga ambientet e SNS-së kanë dalë dy persona të panjohur dhe kanë sulmuar menjëherë të riun”, sqarojnë studentët.