Protestojnë inspektorët e Komunës së Prishtinës, kërkojnë hetimin e vrasjes së kolegut të tyre
Inspektorët e Komunës së Prishtinës kanë protestuar për shkak të vrasjes së ish-kolegut të tyre pak ditë më parë, duke kërkuar që të hetohet ky rast nga organet e drejtësisë.
Organizatorët e protestës kanë bërë të ditur se do ta bojkotojnë punën për rreth dy orë.
Inspektori Bujar Abazi tha se po protestojnë për të shprehur revoltën dhe pakënaqësinë ndaj vrasjes së kolegut të tyre në vendin e punës.
“Siç e dini dhe jeni te informuar të gjithë vrasja e kolegut tonë Nazmi Rrustemi ka ndodhur në vendin e punës ne afërsi të mjetit zyrtar dhe në orar të punës. Këto rrethana ende nuk janë sqaruar nga organet kompetente”, tha ai
Ai tha se është alarmimi fundit për të gjitha institucionet që të kenë për bazë shqetësimet tyre.
“Secili prej nesh kemi raste të hapura te kanosjeve e kërcënimeve dhe tentim sulmeve fizike ku prej tyre tashmë edhe vrasja e kolegut tonë ku ironia e kësaj pune është që ende nuk kemi ndonjë epilog rreth rasteve të hapura deri tashti”, u shpreh ai.
Ai thotë se përveç anës së sigurisë që ende nuk e kanë zgjidhur, nuk janë të pajisur me mbrojtje, kanë probleme edhe sa i përket anës kompensuese të rrezikshmërisë, raporton EO.
Sipas tij, me anë të kësaj proteste vazhdojnë me një bojkot të punës rreth dy orë ku shprehin revoltën dhe pakënaqësinë.
Ai tha se do të ndërmarrin edhe veprime të tjera për të cilat, tha se opinioni do të njoftohet me kohë.
Nazmi Rrustemi një nga inspektorët më të vjetër të pyllit të Komunës së Prishtinës është gjetur i vdekur më 19 dhjetor në afërsi të Liqenit të Badrovcit.