Protestojnë kompanitë e funeraleve, akuzojnë BIK-un për monopol
Komunës së Prishtinës mesditën e sotme i kanë ‘zënë derën’ disa makina të kompanive funerale, ata përmes këtij veprimi kanë shprehur pakënaqësitë për një marrëveshje që po e konsiderojnë jo ligjore mes Bashkësisë Islame, Komunës së Prishtinës dhe Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.
Kompanitë funerale përmes një proteste simbolike kanë akuzuar BIK-un për monopol në kryerjen e shërbimeve të funeraleve, shitjen e arkivoleve dhe dërrasave të ndryshme.
Përfaqësuesi i kompanive funerale, Blerim Nreci në një konferencë për media para objektit të kryeqytetit i renditi vendimet, që sipas tij janë joligjore nga ana e BIK-ut.
“I lutemi komunës së Prishtinës të na jep sqarim në lidhje me marrëveshjen me BIK-un që e ka bërë para dy viteve se ku ka qenë favori i BIK-ut, apo komunës. Komuna i ka jep një mundësi Bashkësisë Islame të zhvilloj biznes brenda përbrenda saj dhe të krijoj shitje të arkivoleve, dërrasave, qefinëve dhe shërbimeve tjera funerale. Kërkoj nga komuna që të ndërmarrë menjëherë ndonjë veprim që t’i ndal. Ne si kompani nuk kemi të drejt ti ofrojnë t qytetarëve me numër fiskal edhe pse jemi të licencuar prej Ministrisë së Tregtisë. Kurse Bashkësia Islame me një dëftesë që ne më herët i merrnim në biblioteka me atë dëftesë. Rimbursohet qytetari me një dëftesë. Të hyrat brenda Bashkësisë Islame brenda 1 muaji sillet 35 mijë euro. Kemi punuar shtatë kompani, tash nuk punojmë asnjë. Vetëm automjete kanë mbetur rreth 100 mijë euro, kurse Bashkësia Islame punon vetëm me një kamion”, tha ai.
Gjithë këtë veprim të BIK-ut, Nreci e konsideroi si punon ilegale, jashtë rregullores dhe statutit të tyre.
Ai po ashtu e akuzoi BIK-un se ka lokale ilegale në një lagje të Prishtinës ku shet arkivole.
Nreci; Bashkësia Islame ka krijuar monopol, jo vetëm në Prishtinë, por në gjithë territorin e Kosovës
“Që dy vite ne nuk kemi të drejt me punuar dhe Bashkësia Islame ka krijuar monopol, jo vetëm në Prishtinë, por në gjithë territorin e Kosovës. Punon Ilegalisht që me rregulloren dhe statusin e saj brenda për brenda të Bashkësisë Islame nuk ka të drejt të bëjë shitë blerjen e dërrasave, sanakave, piramidave, shërbime të varrezave, pastrim dhe shërbime të tjera. Të gjitha këto i kryen, ka lokale ilegale në Kolovicë ku shiten arkivolet”, tha Nreci.
Nreci, mes tjerash, bëri të ditur se ka dy vite që nuk e kryejnë këtë shërbim në kryeqytet, por vetëm në qytetet regjionale.
Ndërkaq, tha se në gjithë këtë periudhë vetëm një herë janë takuar me kryetarin e komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti i cili sipas tij nuk ka dhënë asnjë premtim për përmirësim të situatës.
Kompanitë funerale gjatë ditës protestuan edhe para objektit të BIK-ut dhe MTI-së. Përkundër se KosovaPress kërkoi përgjigje nga na e Bashkësisë Islame ata nuk ishin të pranishëm gjatë ditës në zyrat e tyre.
Ndërsa, gjatë një ore protestë në komunë, nuk i priti asnjë zyrtar komunal, por vetëm disa asamblistë që i dëgjuan kërkesat e tyre.
Në rast të mos zgjidhjes së situatës, kompanitë funerale kërcënuan se sërish do të protestojnë para komunës së Prishtinës.