Protestuesit izraelitë i kërkojnë Qeverisë marrëveshje për lirim pengjesh

Protestuesit izraelitë i kanë bllokuar rrugët në zonën komerciale të Tel Avivit dhe kanë mbajtur në duar flamuj me fotografitë e pengjeve të mbajtura nga Hamasi – grup palestinez i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe fuqi tjera.
Ata më pas janë mbledhur në atë që njihet tani si “Sheshi i pengjeve” për shkak se është kthyer në pikën e takimit për protesta që disa muaj.
Njerëzit janë dëgjuar duke bërtitur, “Qeveria po na kthen shpinën, nuk do të heqim dorë derisa secili prej pengjeve të kthehet në shtëpi”.
Kabineti i sigurisë i Izraelit e ka miratuar një plan në fillim të gushtit që ushtria të marrë kontrollin e qytetit të Gazës, çka ka nxitur shqetësime për sigurinë e pengjeve.
Mijëra persona kanë dalë nëpër rrugë prej atëherë.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka urdhëruar javën e kaluar nisjen e menjëhershme të bisedimeve për të garantuar lirimin e të gjitha pengjeve të mbetura në Gazë, ndonëse i ka ashpërsuar planet për ofensivë të re për të marrë kontrollin e qytetit të Gazës që gjendet në Rripin e Gazës.
Plani është bërë publik disa ditë pasi Hamasi ka thënë se e ka pranuar një propozim të ri për armëpushim, të përgatitur nga ndërmjetësuesit, i cili parasheh lirimin e pengjeve në periudhë 60-ditore, në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë që mbahen nga Izraeli.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed al-Ansari, ka thënë të martën në Doha se ndërmjetësuesit janë ende “në pritje të përgjigjes” prej Izraelit për propozimin e fundit.
“Përgjegjësia tani i takon palës izraelite për t’u përgjigjur për ofertën që është në tavolinë”.
Më herët gjatë ditës, familjarë të pengjeve e kanë kritikuar Qeverinë pse nuk ka arritur një marrëveshje për lirim pengjesh.
“Netanyahu e bën prioritet shkatërrimin e Hamasit dhe jo lirimin e pengjeve”, ka thënë Ruby Chen, djali i të cilit është marrë peng nga miliantët në tetor të vitit 2023.
“Atij i duket mirë dhe alternativë valide që t’i sakrifikojë 50 pengje për arsye politike”, ka thënë ai në një fjalim të mbajtur para protestuesve.
Izraeli po përballet me presion në rritje si brenda, ashtu edhe jashtë shtetit, që t’i japë fund fushatës ushtarake në Gazë, ku është shpallur zi buke dhe pjesa më e madhe e territorit është kthyer në gërmadhë.
Të hënën, sulmet izraelite e kanë goditur një spital në Gazë duke lënë të vrarë të paktën 20 njerëz, përfshirë pesë gazetarë që kanë punuar për mediumet si Al Jazeera, Associated Press dhe Reuters.
Qeveri në mbarë botën janë shprehur të tronditura nga sulmi.
Ushtria izraelite ka thënë të martën se ushtarët e kanë shënjsetreuar një kamerë të Hamasit në dy sulmet që kanë vrarë gazetarët.
Lufta në Gazë ka qenë ndër më vdekjeprurëset për gazetarët, pasi rreth 200 punonjës mediash raportohet të jenë vrarë brenda dy vjetësh e gjysmë.
Lufta është nxitur nga sulmet e Hamasit në tokën izraelite në tetor të vitit 2023, që kanë rezultuar me vrasjen e rreth 1.200 njerëzve, kryesisht civilë.
Prej rreth 240 pengjeve të kapura në sulm, 49 po mbahen ende në Gazë, përfshirë 27 që ushtria izraelite beson se kanë vdekur.
Sulmet hakmarrëse izraelite kanë vrarë mbi 62.000 njerëz në Gazë, shumica prej tyre civilë, sipas të dhënave të autoriteteve shëndetësore palestineze, të cilat Kombet e Bashkuara i konsiderojnë kredibile./REL