Provat e mbrojtjes në rastin e ish-krerëve të UÇK-së do të fillojnë të paraqiten, më 15 shtator

Pasi ishte bërë e ditur se planifikohet që provat e mbrojtjes në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, të fillojnë të paraqiten më 15 shtator 2025, kjo u bë zyrtare në konferencën e së hënës për ecurinë e çështjes në këtë rast përmes një urdhri gojor nga kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.
Ai tregoi se është përgatitur edhe kalendari i cili është i disponueshëm për publikun. Megjithatë, njoftoi për një ndryshim, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Smith tha se më 25 shtator 2025 e që është ditë e enjte, nuk do të jenë të disponueshëm.
Sipas gjykatësit, mbrojtja e Thaçit synon të thërrasë 11 ose 12 dëshmitarë në sallën e gjyqit. Disa prej tyre mund të dëshmojnë edhe sipas Rregullës 154
Luka Mishetiq tha se dëshmitari 1DW006 dhe 1DW008 do të jenë dëshmitarë që do të dëshmojnë në sallën e gjyqit dhe jo sipas Rregullës 154. Ndërsa, për pjesën tjetër, Mishetiq tha se nuk ka ndryshime.
Ndërsa, Aiden Ellis pohoi se nga 5 dëshmitarët e tyre, një do të dëshmojë sipas Rregullës 155, dy sipas Rregullës 154 dhe dy sipas Rregullës 153.
Mishetiq njoftoi se për t’i marrë në pyetje dëshmitarët e tyre do iu duhen 35 orë e gjysmë gjithsej. Ndërsa, Ellis tha se i qëndrojnë parashtrimeve që i kanë dorëzuar më herët.
Mbrojtja e Krasniqit dhe e Thaçit, njoftuan se përveç një dëshmitari, nuk kanë masa mbrojtëse për dëshmitarët e tjerë.
Mishetiq njoftoi se të gjitha dokumentet në lidhje me dëshmitarët e tjerë janë nxjerrë e po ashtu edhe ato sipas Rregullës 107 për të cilët kërkohet autorizim i nxjerrjes sëi nformacionit. Ai nënvizoi se vetëm dy prej dëshmitarëve sipas kësaj rregulle kanë mbetur për t’u nxjerrë.