75 Mall Live Search
18:18 / E Martë, 22 Dhjetor 2020 / Blerim

PSD e ka me Kurtin: Në këto zgjedhje nuk do të votohet për programe, votohet ekskluzivisht lideri suprem

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për dërgimin e vendit në zgjedhje ka reaguar Partia Social Demokrate e Kosovës.

Kjo parti ka thënë se Kosova po shkon drejt zgjedhjeve. Kështu thotë vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

“Edhe një herë Gjykata u çkap. Apo u kap?! S’ka rëndësi. Kapja e çkapja janë fjalët që vizatojnë dyshen e kontradiktës së rrejshme. Ka një kohë shumë të gjatë ç’prej se gjithçka shpjegohet përmes shënjuesit “antikorrupsion”. Ky akumulim do të zbrazet kësaj radhe. Ndarja e krijuar është ajo midis njerëzve të mirë e të ndershëm dhe batakçinjve. Në vend të miqve të popullit, një etikë e re barazitare na duhet”, thuhet në një njoftim të kësaj partie.

Tutje ata kanë shtuar se zgjedhjet e reja janë gjithsesi lajm i mirë. Jo thjesht sepse po e ushtrojmë demokracinë, por sepse ato paraqesin kalimin nga gjendja e agonisë tek dinamikat e reja. Në fakt, tek një horizont i ri, me kontradikta të reja.

Kjo parti ka bërë të ditur se Kosova për një kohë të gjatë qeveriset keq. Emrat janë ndërruar, por modeli ka mbetur. Ky model është neoliberalizmi me taksa të sheshta, e me privatizime masive.  Ky model ekonomik e presupozon ideologjikisht, por e ka edhe si kusht operues zyrtarin e korruptuar. Është ky model që ka krijuar pabarazi e nuk po lejon zhvillim shoqëror.

Partia që kryesisht përbehet nga ish eksponent të VV-së edhe në këtë njoftim nuk kanë lënë pa e thumbuar ish partinë e tyre.

“Njëjtë, ata që na thonë të mos paragjykojmë dhe ta vlerësojmë Albin Kurtin nga rasti në rast, në fakt tregojnë për mungesë të kritikës sistematike dhe dembeli të mendjes. Çfarë na pret është një amalgamë midis diskursit totalitar dhe qeverisjes që sa i përket politikave ekonomike do të jetë maksimalisht qeverisje e informuar nga qendra. Kjo mospërputhje zgjidhet lehtë aty ku bashkohen e reduktohen të gjitha: te lideri suprem. Në fakt, në këto zgjedhje nuk votohet për koncepte, programe, as për parti. Votohet ekskluzivisht lideri suprem, pa asnjë ndërmjetësim”, thuhet ndër të tjera në njoftim.