PSD-ja ua “vë” drynin Dhomave të Specializuara

Anëtarë të PSD-së në krye me kryetarin, Dardan Molliqaj, sot kanë zhvilluar një aksion simbolik, këtë herë kundër Gjykatës Speciale.
Ata kanë shpallur të skaduar, këtë institucion. Ndërsa kanë shkruar: Gjykata Speciale – një mision i pamundur!
Ky është njoftimi i këtij subjekti politik rreth aksionit të sotëm të zhvilluar në Fushë-Kosovë tek Eulex-i:
Jemi këtu për t’ua vënë drynin Dhomave të Specializuara. Këtij institucioni ç’prej muajit gusht i ka skaduar mandati. E një institucion pa mandat është veçse illegal. Ky institucion po i mban në mënyrë të paligjshme njerëzit në paraburgim. Kushtetuta e vendit mbizotëron secilën normë apo instrument juridik. Drejtësia s’mund të jetë rezultat i rrugëve të paligjshme, ajo nuk mund të vendoset duke shkelur Kushtetutën. Në fakt, duke e bërë këtë, është padrejtësia që dyfishohet.
Këtij institucioni i ka kaluar koha, sepse ka kaluar koha kur akuzat e Serbisë bënin policin e gjykatësin në Kosovë. Ky institucion është anakronik sepse është përkundruall të vërtetës historike të luftës së viteve ’98-99. Këtij institucioni formalisht i ka kaluar koha, por vendin asnjëherë nuk e ka pasur këtu.
Kosova nuk mundet dhe nuk duhet të heqë dorë nga vendosja e drejtësisë për secilin. Kjo për hir të viktimave, por gjithashtu sepse kjo dorëheqje është dorëheqje prej atributeve thelbësore të shtetësisë. Gjithsesi, drejtësia as demokracia nuk mund të na vijnë të im portuara. Për të qenë të qëndrueshme dhe të vërteta, ato duhet të jenë autentike.



