19:39 / E Martë, 20 Korrik 2021 / OSH

Pse në rajonin e Dukagjinit nuk preferohet që dasmat të bëhen mes dy bajramave

Në traditën popullore shqiptare dasmat janë ceremoni gëzimi në ngrohtësinë e familjes mirëpritet një anëtarë i ri.

Mirëpo është karakteristike se ndër shqiptarët dita e dasmës karakterizohet me rituale të ndryshme.

Stërgjyshërit tanë tregojnë se në të kaluarën nuk është preferuar që dita e dasmës të jetë mes dy bajrameve.

Mirëpo qytetarët e as përfaqësuesit e Bashkësisë Islame të Kosovës nuk preferojnë një traditë të tillë.

“Mas Bajramit do të ishte më mirë të mbahet dasma nëse nuk e kanë paracaktuar. Por edhe nëse martohen për Bajram nuk është asgjë ajo çështje. Çifti vet duhet të vendos”, shprehet për RTV Dukagjinin, qytetarja Mira Shala.

Ndërsa bashkëshorti i Mirës, Sahit Shala thotë se kohët kanë ndryshuar dhe duhet t’iu takojë të rinjve kur të martohen.

“Tradita vazhdohet derisa atë e bëjnë njerëzit. Martesa mes Bajrameve ka qenë traditë e së kaluarës. Tash gjërat kanë ndryshuar. Përpara nuk është preferuar të bëhet dasma mes bajrameve pasi është menduar se vajza nuk do të ketë suksese ne familjen e burrit”, shprehet Demë Loxhaj.

Për këtë çështje ka folur edhe imami i xhamisë së Deftedarit në Pejë.

Ai thotë se kjo gjë më shumë është një besëtytni dhe se nuk ka bazë në fe.

“Kjo gjë nuk ka bazë në Kuran e as në hadithet e pejgamberit Muhamed. Gjithë kjo është e Allahut dhe nuk ka ndonjë përcaktim për kohën se kur duhet martuar. Kjo traditë e cila përcillet nga një pjesë e popullsisë sonë, nuk ka bazë në fe”, tha ai për RTV Dukagjini.

Hoxha thotë se festat në Islam janë të lëvizshme pasi bazohen në muajt hënorë dhe sipas tij nuk ka kuptim të ketë kufizime kohore.