75 Mall Live Search
10:49 / E Martë, 13 Janar 2026 / OSH

Pse nuk po respektohet Udhëzimi administrativ që ndalon përdorimin e telefonave mobilë në institucionet arsimore parauniversitare?

Shkruan, Albert Kurtulaj

Kjo pyetje kërkon përgjigje të menjëhershme dhe, mbi të gjitha, veprim konkret.
Telefonat mobil kanë kaluar nga mjet komunikimi në burim varësie për fëmijët. Pavarësisht ekzistimit të një udhëzimi administrativ të qartë që e ndalon përdorimin e tyre, në praktikë nxënësit i bartin dhe i përdorin telefonat gjatë gjithë qëndrimit në shkollë, përfshirë edhe gjatë orëve mësimore. Ky realitet tregon qartë se problemi nuk është mungesa e rregullave, por mungesa e zbatimit të tyre.
Përdorimi i vazhdueshëm i telefonave në klasë është tejet i dëmshëm, si për vetë nxënësin ashtu edhe për procesin arsimor në tërësi. Ai dëmton përqendrimin, ul cilësinë e të nxënit, shkatërron disiplinën në klasë dhe e kthen orën mësimore në një proces formal, pa efekt real. Në këto kushte, nuk mund të flasim për arsim cilësor.
Shkollat duhet të jenë të vendosura dhe të mbështetura fuqishëm nga institucionet përgjegjëse, në mënyrë që gjatë gjithë procesit mësimor nxënësit të mos kenë kontakt me telefonat mobil. Kjo është plotësisht e realizueshme, pa kosto ose me kosto minimale, përmes vendosjes së kutive apo sirtarëve në klasa, ku telefonat depozitohen dhe nuk merren deri në përfundim të mësimit.
Në këtë drejtim, vendimet e DKA-ve duhet të jenë të qarta, të forta dhe të padiskutueshme, duke u dhënë shkollave mbështetje të plotë për zbatimin rigoroz të rregullores, me të cilën nxënësit dhe prindërit duhet të janë të njoftuar. Çdo shkelje e rregullave duhet të sjellë masa disiplinore reale, sipas rregullores së shkollës, pa tolerime dhe pa përjashtime.
Prindërit gjithashtu kanë përgjegjësi të drejtpërdrejtë. Ata duhet të jenë të vetëdijshëm se përdorimi i telefonit gjatë orëve mësimore i shkakton dëm serioz dhe afatgjatë fëmijës së tyre, duke dëmtuar fokusin, vëmendjen dhe rezultatet në mësim, si dhe duke e cenuar rëndë procesin mësimor në përgjithësi.
Duhet theksuar qartë se ndalimi i telefonave nuk funksionon vetëm me njoftime formale. Ai funksionon vetëm kur ka vullnet te plotë, kur ka zbatim të plotë të rregullores së shkruar, kur ka masa disiplinore reale për çdo shkelje, kur ka zbatim të barabartë për të gjithë nxënësit, pa përjashtim, kur ka bashkëpunim të sinqertë me prindërit, dhe kur ka shembull të qartë nga vetë stafi i shkollës, përmes mos-përdorimit të telefonave gjatë procesit mësimor.
Fakti që Udhëzimi Administrativ për ndalimin e telefonave mobil zbatohet me përpikëri të plotë në disa shkolla private, dëshmon qartë se kjo është e mundur të realizohet edhe në shkollat publike. Ajo që mungon nuk është as legjislacioni, as mundësia, por vullneti institucional, vendosmëria dhe konsistenca në zbatim.
Koha për tolerim ka përfunduar. Nevojitet reagim i menjëhershëm dhe veprim konkret.
Çdo vonesë tjetër po e dëmton drejtpërdrejt nxënësin dhe po e zbehë kuptimin e vetë misionit të shkollës. Arsyetimet se Udhëzimi Administrativ ekziston, se vendimet e DKA-ve janë marrë, se shkollat i kanë rregulloret dhe se prindërit janë të njoftuar, nuk arsyetojnë në asnjë mënyrë situatën aktuale.
Ajo që mungon nuk është dokumentacioni, por zbatimi real në praktikë. Rregullat pa zbatim janë të pavlera. Zbatimi ka rëndësi vendimtare dhe duhet të ndodhë menjëherë, pa vonesa dhe pa tolerime.