12:42 / E Mërkurë, 25 Korrik 2018 / indeksADMonline

Pse po ngordhin peshqit në lumin Mirusha? – Flet nënkryetari i Federatës së Peshkatarëve

Në lumin e njohur në Komunën e Malishevës i quajtur ‘Mirusha’ një gjë jo e zakonshme ka ndodhur në mëngjesin e sotëm.

Një pjesë e madhe e peshqve janë gjetur të ngordhur, ndërsa shkaqet e kësaj ende nuk po dihen.

Indeksonline ka siguruar disa foto direkt nga vendi i ngjarjes, ku siç mund të shihni në fotografitë më poshtë, peshqit janë të ngordhur.

Peshqit ende nuk janë hequr nga lumi, ndërsa as inspektorët e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor nuk janë në terren për të tu merr këtë rast.

Nënkryetari i Federatës së Peshkatarëve të Kosovës, Milaim Vitia për “Indeksonline” ka treguar dyshimet e para për ngordhjen e peshqve. “Po dyshohet që ka ndodhur për shkak të ndotjes së ujërave, hedhja e derivateve, kiselinës apo tjera gjëra”, ka thënë ai shkurt.

Derisa, ka shtuar se Inspektorët e MMPH-së ende nuk kanë ardhur për të inspektuar rastin. “Inspektorët e Ministrisë nuk ardhur dhe as që dëshirojnë të lajmërojnë këtë rast të Ministrja Albena”, ka shtuar ai.

Vitia ka shtuar se peshqit ende nuk janë hequr nga lumi, por sipas tij rrezik mbetët nëse dikush nga fëmijët i merr dhe i dërgon në shtëpi.

“Nuk janë hequr akoma, por rreziku vazhdon të jetë nëse dikush nga fëmijët i merr dhe i dërgon në shtëpi. Atëherë edhe jeta e fëmijëve rrezikohet” ka theksuar ai.

Vitia ka thënë se një dukuri e tillë nuk ka ndodhur me parë në Mirushë, përveç anës liqenit. Në vendin e ngjarjes pos Shoqatës së Peshkatarëve, është parë edhe Policia e Kosovës.

Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, i cili ka kërkuar ndriçimin e rastit dhe gjetjen e shkaktarit të kësaj ngjarje të rëndë, të cilën e ka vlerësuar si katastrofë ekologjike dhe ka kërkuar ndihmën e organeve qendrore, përkatësisht të ekspertëve të kësaj fushe./Indeksonline/