75 Mall Live Search
08:57 / E Martë, 23 Dhjetor 2025 / AR

Pse, sipas disa shkencëtarëve, nuk duhet t’i blini fëmijës arush pelushi për Krishtlindje

Nëse po mendonit t’i blinit fëmijës suaj një arush pelushi për Krishtlindje, disa shkencëtarë “progresistë” thonë se ndoshta duhet ta rishikoni këtë ide.

Edhe pse lodrat e buta janë shoqërues të dashur të fëmijërisë, një grup studiuesish francezë argumenton se këto “karikatura” të kafshëve nuk u ndihmojnë fëmijëve të kuptojnë natyrën reale.

Arushë pelushët janë disenjuar për të qenë jashtëzakonisht të lezetshëm: me koka të mëdha, sy të stërmëdhenj, feçka të rrumbullakëta dhe putra pa dhëmbë e kthetra të rrezikshme. Sipas studiuesve, ky imazh i “Disney”-t për grabitqarë të rrezikshëm mund të dëmtojë mënyrën se si fëmijët ndërtojnë marrëdhënien e tyre me natyrën.

Shqetësimi kryesor është se fëmijët që rriten me lodra të buta, por jo shkencërisht të sakta, mund të zhvillojnë një kuptim të kufizuar për botën reale të kafshëve të egra.

Autori kryesor i studimit, dr. Nicolas Mouquet nga Qendra Kombëtare Franceze për Kërkime Shkencore (CNRS), i tha Daily Mail-it:

“Për shumë fëmijë, ‘kafsha e parë e egër’ nuk shihet në pyll, por përqafohet në krevatin e tyre.

Tiparet që i bëjnë arushët prej pelushi kaq të dashur – kokat e mëdha të rrumbullakëta, qimet e buta, ngjyrat e njëtrajtshme dhe format e buta – nuk ngjajnë aspak me arinjtë e vërtetë.

Nëse ariu që i jep ngushëllim një fëmije nuk ka asgjë të përbashkët me një ari real, ura emocionale që krijohet mund ta largojë atë nga biodiversiteti i vërtetë, në vend që ta afrojë”.

Në një studim të ri, të botuar në revistën shkencore BioScience, dr. Mouquet dhe bashkautorët e tij argumentojnë se lodrat e fëmijëve janë një portë shumë e rëndësishme për të mësuar rreth natyrës.

Studiuesit anketuan 11 mijë persona për të zbuluar nëse kishin pasur një lodër prej pelushi në fëmijëri dhe çfarë kafshe përfaqësonte ajo.

Nga të anketuarit, 43 për qind thanë se lodra e tyre e fëmijërisë kishte qenë një arush, duke e bërë atë kafshën më të preferuar, me diferencë të madhe.

Por studiuesit theksojnë se këto lodra kanë tipare që i ngjajnë më shumë foshnjave njerëzore sesa arinjve të vërtetë.

“Arushët prej pelushi ndjekin rregulla universale të ‘bukurisë’: koka të mëdha, silueta të rrumbullakëta, gëzof të butë dhe të njëtrajtshëm, ngjyra neutrale dhe sy shprehës – tipare që i bëjnë menjëherë të dashur”, shpjegon Dr. Mouquet.

Sipas tij, kjo përfaqëson një mundësi të humbur për ta ndihmuar fëmijën të lidhet më mirë me natyrën.

“Mos i keqkuptoni rezultatet tona – qëllimi ynë nuk është të heqim qafe arushët prej pelushi, aspak! Këto lodra janë shoqërues të mrekullueshëm. Ne thjesht mendojmë se ato mund të përdoren më me kujdes”, thotë ai.

Lidhja që një fëmijë krijon me lodrën e parë prej pelushi është jashtëzakonisht e fortë, duke ofruar ngushëllim fizik dhe një shok të përhershëm që e shoqëron për vite me radhë. Në këtë kuptim, arushët mund të shërbejnë si “ambasadorë emocionalë” për kafshët e vërteta.

Por nëse arinjtë që duam në fëmijëri nuk kanë asnjë ngjashmëri me kafshët që sot kërkojmë t’i mbrojmë në natyrë, atëherë kjo lidhje emocionale nuk e kryen rolin e saj.

Në një studim të dytë, studiuesit krahasuan tiparet fizike të arinjve të vërtetë me ato të lodrave prej pelushi. Edhe pse asnjë lodër nuk i ngjante realisht një specieje të caktuar, panda ishte ariu që i afrohej më shumë “idealit të arushit të butë”.

Dr. Mouquet beson se nuk është rastësi që panda – specia më “si lodër” – është edhe ajo që merr më shumë vëmendje në ruajtjen e natyrës dhe përdoret shpesh si simbol i projekteve mjedisore.

“Interesi im për arushët prej pelushi lidhet me një pyetje më të gjerë: pse disa specie marrin kaq shumë vëmendje dhe mbrojtje, ndërsa të tjera injorohen”, thotë ai.

“Arushët janë një mënyrë argëtuese dhe pothuajse universale për ta eksploruar këtë paragjykim, sepse tregojnë se cilat tipare na bëjnë të kujdesemi për disa kafshë që në moshë shumë të hershme”.

Studiuesit nuk sugjerojnë të hedhim tutje arushët tanë të dashur apo t’i shndërrojmë personazhe ikonike si Paddington apo Winnie the Pooh në grizzly të frikshëm. Megjithatë, ata do të donin që, krahas dizajneve klasike, të ofroheshin edhe lodra me tipare më realiste.

Këto lodra mund të përfaqësonin specie më pak të njohura, si ariu i diellit nga Malajzia, ose të shkonin përtej arinjve dhe lepujve, duke përfshirë edhe kafshë që zakonisht nuk konsiderohen “të lezetshme”.

Edhe pse lodrat më realiste mund të mos jenë aq të përqafueshme, ato mund t’i ndihmojnë fëmijët të krijojnë më herët një lidhje të sinqertë me realitetin e natyrës.

“Gjatë anketave tona, dëgjuam shumë histori prekëse për arushët e fëmijërisë së njerëzve. Këto lodra mbartin kujtime, ngushëllim dhe dashuri” ,përfundon dr. Mouquet.

“Nëse duam që njerëzit të kujdesen vërtet për biodiversitetin, duhet të kuptojmë rrugët emocionale që i lidhin njerëzit me natyrën – dhe për shumë prej nesh, këto rrugë fillojnë me një arush të thjeshtë pelushi”.