Pse s’u mundësua dhurimi i kristalit për Donald Trump? Ministria e Ekonomisë jep versionin e saj
Gjatë ditës së sotme është raportuar se Ministria e Ekonomisë kishte refuzuar kërkesën e Vjosa Osmanit për dhurimin e një minerali/kristali nga Muzeu Shtetëror i Mineraleve dhe Kristaleve “Trepça”.
E lidhur me këtë përmes një postimi në rrjetin social nga kjo Ministri kanë treaguar se dhurimi apo shkëmbimi mund të realizohet vetëm me vendim përfundimtar, pas rekomandimit të dhënë nga komisioni profesional.
Reagimi i plotë:
Ministria e Ekonomisë reagon ndaj raportimit të njëanshëm të publikuar nga Gazeta “Nacionale” të datës 11.03.2026 lidhur me pretendimet për refuzimin e kërkesës për dhurimin e një minerali/kristali nga Muzeu Shtetëror i Mineraleve dhe Kristaleve “Trepça”.
Ministria e Ekonomisë thekson se kërkesa nga Zyra e Presidentes për dhurimin e kristalit është pranuar më 16 shkurt 2026, përkatësisht një ditë para udhëtimit zyrtar të Presidentes të Republikës së Kosovës. Zyrtarët përgjegjës e kanë trajtuar me urgjencë kërkesën e zyrës së presidentes, por për shkak të procedurës ligjore dhe administrative, koha ka qenë e pamjaftueshme për të përmbushur kërkesën.
Bazuar në legjislacionin përkatës, mineralet/kristalet mund të dhurohen ose të shkëmbehen me institucionet homologe të shteteve të tjera, kur kjo u shërben interesave kombëtare dhe kur vlerat e tyre janë të barasvlefshme. Mineralet/kristalet që mund të dhurohen ose të shkëmbehen përcaktohen nga Komisioni Profesional, i cili themelohet me vendim të Drejtorit Ekzekutiv të Shërbimit Gjeologjik të Kosovës.
Dhurimi apo shkëmbimi mund të realizohet vetëm me vendim përfundimtar, pas rekomandimit të dhënë nga komisioni profesional. Rrjedhimisht, për përmbylljen e këtij procesi, afati kohor ka qenë tejet i shkurtër.
Pretendimet që e lidhin këtë çështje me zhvillime politike apo me marrëdhënie ndërmjet institucioneve janë interpretime të njëanshme mediale dhe nuk reflektojnë faktet, për të cilat gazeta “Nacionale” nuk ka kërkuar qëndrimin zyrtar nga Ministria e Ekonomisë.
Ministria e Ekonomisë, sipas kompetencave ligjore, mbetet e përkushtuar për trajtimin e çdo kërkese në përputhje të plotë me legjislacionin përkatës, rregullat për menaxhimin e pasurisë publike si dhe parimin e transparencës./Indeksonline/

