Pse të dhënat për pandeminë në Indi mund të mos jenë të sakta?

Edhe pas më shumë se një viti të përballjes së botës me pandeminë e koronavirusit, intensiteti dhe shkalla e krizës aktuale në Indi është bërë më e dallueshme.
Pacientët atje nuk kanë qasje në oksigjen, spitalet janë të mbingarkuara derisa nëpër rrjetet sociale shihen radhë të gjata të njerëzve për të dërguar viktimat nëpër krematoriume.
Teksa numri ditor i të infektuarve rritet përtej shifrave që kanë raportuar vendet tjera deri më tani, ekspertët thonë se shifrat zyrtare të të diagnostikuarve me COVID-19, sëmundjen që shkakton koronavirusi, në vendin e dytë me popullsinë më të madhe në botë, duket se nuk janë të sakta.
Por pse të dhënat në Indi konsiderohen të jetë kështu?
Cilat shifra tregojnë realitetin mbi krizën?
A po numëron India secilin rast?
India nuk është duke numëruar secilin rast të infektimit me koronavirus, pasi asnjë shtet nuk mund ta bëjë një gjë të tillë. Në gjithë botën, zyrtarët prezantojnë vetëm rastet e konfirmuara.
Numri i të gjitha rasteve nuk dihet edhe për faktin se testimi është rastësor dhe disa persona kanë pak ose aspak simptoma pas infektimit me këtë virus.
Sa më i kufizuar testimi, aq më pak raste dihen. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se shtetet duhet të bëjnë 10 deri në 30 teste për çdo rast të konfirmuar.