15:03 / E Mërkurë, 03 Qershor 2020 / indeksADMonline

Pse u kritikuan fotot e zeza në Instagram

Ditën e djeshme, nëpër rrjete sociale u shpërndanë foto të zeza të shoqëruara me hashtagun #BlackLivesMatter dhe #BlackOutTuesday. Fotoja e zezë u pa si një mënyrë protestimi online për vrasjen e afro-amerikanit George Floyd dhe racizmim në SHBA.

Nisma nisi fillimisht nga njerëz të industrisë së muzikës, të cilët kërkuan solidaritet me lëvizjen #BlackLivesMatter. Pas shpërndarjes në rrjete sociale, të shumtë qenë njerëzit – personazhe të njohur, organizata dhe qytetarë të thjeshtë – të cilët shpërndanë kudo një foto të zezë. Fill pas kësaj, pati kritika pasi njerëzit duket se e keqkuptuan fushatën online dhe postimi i fotove të zeza nuk ndihmonte askënd.

Duke përdorur hashtagun #BlackLivesMatter si mbishkrim mbi fotot e zeza, njerëzit “bllokuan” postimet që kanë si qëllim të shfaqin se çfarë po ndodh realisht me protestat. Në hashtagun e mësipërm shfaqeshin vetëm foto të zeza dhe asnjë zhvillim i ri mbi ngjarjet, gjë që nuk është në dobi të protestave.

Të tjerë njerëz patën kritika duke thënë se tashmë nuk është koha që njerëzit të qëndrojnë në heshtje.