18:45 / E Diele, 01 Prill 2018 / indeksADMonline

Pse veza e kuqe është simbol i Pashkëve, cila është origjina e kësaj tradite?

Kur i referohemi traditave në lidhje me Pashkën në mendje na vjen veza e kuqe, e cila është një ndër veçoritë më karakteristike të kësaj feste.

Veza simbolizon jetën, që është e mbyllur dhe e përgjumur brenda lëvozhgës së saj, ndërsa ngjyra e kuqe është emblema e sakrificës dhe në rastin konkret, sakrificës së Krishtit. Veza e Pashkëve është e vjetër, aq sa edhe vetë Krishterimi dhe kisha e ka pranuar në traditën dhe në praktikën e saj si simbol i Ringjalljes së Krishtit.

Krishterët e parë dhe bashkëkohës së apostujve filluan të ngjyrosin vezë dhe t’i dhurojnë për Pashkë, duke përshëndetur gëzueshëm “Krishti u Ngjall”! Përgjigja është: ”Vërtet u ngjall”!

Pjesë tjetër e traditës së Pashkëve është buka e Pashkës, ku vendoset veza e kuqe në mes. Fjala Pashkë shoqërohet me fjalën e ndritshme, duke simbolizuar kështu dritën që del nga varri i Krishtit.

Padyshim që pjesë e tryezës së festimit të Pashkës është mishi i qingjit, duke simbolizuar Krishtin, i cili si qingj erdhi në therrore, duke u sakrifikuar për mëkatet e njerëzve.