75 Mall Live Search
12:42 / E Mërkurë, 09 Shtator 2020 / C E

PSG-ja e nis kampionatin me 8 mungesa, shkaku i Covidit-19

Paris Saint Germaini, do ta nisë me 8 mungesa sezonin e ri të Ligues 1 ku 7 prej tyre madje janë titullarë.

Kampionët e Francës, të cilët do të zbresin në fushë të enjten e 10 shtatorit për ndeshjen e javës së 2-të ndaj Lensit në program për t’u luajtur në fund të gushtit, por që u shty me kërkesën e PSG-së, nuk do të kenë në dispozicion emra të rëndësishëm për shkak se plot 8 futbollistë janë prekur nga COVIDI-19 dhe duhet të qëndrojnë në karantinë.

Në këtë listë bëjnë pjesë dy portierët Keylor Navasi e Sergio Rico, por edhe treshja e frikshme sulmuese Neymar-Icardi-Mbappe, ndërsa të prekur me koronavirusin janë edhe Di Maria, Paredesi e Marquinhos.

Të gjithë këta futbollistë u infektuan me koronavirusin gjatë pushimeve verore, pas finales së Champions Leagues ndaj Bayern Munichut.

Në këtë mënyrë trajneri i PSG-së, Thomas Tuchel, do ta ketë shumë të vështirë të krijojë një 11-she kompetitive për sfidën ndaj Lensit, e cila do të jetë shumë e vështirë për parisienët.