PSG vendos përfundimisht të mos ia vazhdojë kontratën Lionel Messit

Paris Saint-Germaini ka vendosur përfundimisht të mos ia vazhdojë kontratën Lionel Messit, një ditë pasi e dënoi pse kishte udhëtuar pa leje drejt Arabisë Saudite.
Messi, 35 vjeç, udhëtoi në Lindjen e Mesme pas disfatës tronditëse të PSG-së 3:1 kundër Lorientit të dielën.
Besohet se sulmuesi argjentinas e bëri këtë për shkak të angazhimeve si ambasador i turizmit për shtetin e Gjirit. Por të martën u raportua se largimi i tij nuk ishte aprovuar nga klubi, sepse skuadra kishte stërvitje po të njëjtën ditë.
Si pasojë, PSG-ja e pezulloi Messin për dy javë pa pagesë. Ai nuk ka të drejtë as të stërvitë dhe do të mungojë në dy ndeshjet e radhës.
Gazeta e madhe franceze L’Equipe raporton se ndëshkimi do të jetë edhe më i rëndë.
PSG-ja ka vendosur, sipas të përditshmes franceze, të mos ia vazhdojë kontratën Messit në fund të këtij sezoni. Marrëveshja e argjentinasit me klubit mbaron në fund të qershor dhe PSG-ja e ka një klauzolë në të për ta vazhduar atë edhe për një vit tjetër.
Derisa disa zyrtarë të klubit ishin të pajtimit për ta lënë atë të largohet, bisedimet mes klubit dhe Messit po vazhdonin. Megjithatë, duket se tani udhëtimi i tij drejt Arabisë i ka dhënë vulë largimit të tij në verë.
Si pasojë e pezullimit dyjavor nga klubi, Messit i kanë mbetur vetëm edhe tri ndeshje në fanellën e PSG-së.
Këto zhvillime ia kanë rritur dukshëm shpresat Barcelonës për ta kthyer yllin argjentinas në klub, me gjithë komplikimet financiare që ai mund t’ia shkaktojë klubit.
Përveç Barçës, palë të tjera të interesuara për Messin janë edhe Inter Miami në MLS dhe klubi saudit Al-Hilal.
Tri ndeshjet e mbetura të argjentinasit për PSG-në pas pezullimit – nëse trajneri Christophe Galtier vendos të përzgjedhë – do të jenë kundër Auxerre, Strasbourg dhe Clermont.
Messi i ka shënuar 31 gola dhe i ka dhënë 34 asiste në 71 paraqitje në Francë.