10:58 / E Martë, 05 Qershor 2018 / indeksADMonline

Psikologët e papunë letër Ismailit, ia kujtojnë premtimin për punësim

Ministri Uran Ismaili i kishte premtuar specialistët e psikologjisë se do t’i punësonte, por këtë premtim deri më tani nuk e ka realizuar. Këtë ia kanë kujtuar vet specialistët nëpërmjet një letre publike

Specialistët e Psikologjisë klinike i janë drejtuar ministrit të Shëndetësisë Uran Ismaili me një letër publike ku bëjnë me dije se po bëhen gati dy vite që janë të papunë, përkundër kërkesave të vazhdueshme që i kanë drejtuar në institucione.

Psikologët nuk morën asgjë përveç premtimeve edhe nga ministri Ismaili, i cili erdhi në këtë pozitë në fund të vitit të kaluar. “Në fund të vitit 2017 edhe publikisht morëm zotimin tuaj z. Ismaili, për punësimin e specialistëve të shërbimeve shëndetësore në fillim të vitit 2018, por tashmë kaluan 5 muaj dhe akoma asgjë konkrete për ne specialistët e psikologjisë klinike, përveç premtimit ‘shumë shpejtë do realizohet punësimi i juaj’”, transmeton Gazeta Shneta.

Ata po konsiderojnë se nevoja për profesionin e tyre në institucionet publike shëndetësore është shumë e madhe, prandaj kanë kërkuar një përgjigje nga Ismaili për fatin e tyre.

Në vijim mund ta lexoni letrën e plotë të tyre:

Letër Publike

Për: z. Uran Ismaili – Ministër i Shëndetësisë

Nga: Specialistët e Psikologjisë Klinike

I nderuar Ministër i Shëndetësisë z. Uran Ismaili, ne Specialistët e Psikologjisë Klinike po bëhen gati dy vite që jemi të papunë, dhe po aq kohë që ne bredhim dyerve të institucioneve relevante përgjegjëse për të kërkuar punësim. Tashmë kemi disa shkresa zyrtare drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë dhe SHSKUK-së me të vetmen kërkesë për punësim, dhe deri më tani asnjë përgjigje konkrete.

Në fund të vitit 2017 edhe publikisht morëm zotimin tuaj z. Ismaili, për punësimin e specialistëve të shërbimeve shëndetësore në fillim të vitit 2018, por tashmë kaluan 5 muaj dhe akoma asgjë konkrete për ne specialistët e psikologjisë klinike, përveç premtimit “shumë shpejtë do realizohet punësimi i juaj”.

I nderuar Ministër Ismaili, ju kujtojmë se specializimi ynë është ofruar dhe financuar nga Ministria e Shëndetësisë, i mbështetur nga Universiteti i Baselit- Zvicër, universitet ky prestigjioz në Evropë. Entuziazmi dhe dëshira për të shërbyer në avancimin e shërbimeve të shëndetit mendor po na mbytet çdo ditë, pritja po na bëhet dëshpërim.

Sot, shumica e Klinikave të QKUK-së, Spitaleve Rajonale dhe Qendrave të Shëndetit Mendor në Kosovë, nuk kanë psikolog klinik kurse nevojat janë të mëdha, ndërkaq ne specialistët e psikologjisë klinike jemi të pa punë! Andaj kërkojmë nga ju z. Minister Ismaili, publikisht, të na tregoni, a do ndodh punësimi ynë, nëse po, kur do të ndodh, në mënyrë që të përfundojnë pritjet tona të gjata.

Sinqerisht, specialistët e psikologjisë klinike:

Imri Zabeli, Ibelinda Halili, Brikena Krasniqi – Hoti, Venera Limani – Kryeziu, Donika Mexhuani- Islami, Ariana Shala, Visar Sadiku, Latif Hoxha, Filloreta Bokshi- Matjani , Besa Shala-Krasniqi, Albulena Shabani, Yllka Kuqi, Jeta Deva, Fatime Fazliu.

Letra e përfaqëson grupin e specialisteve andaj nuk duhet veçuar ndonjë emër.