14:39 / E Martë, 01 Dhjetor 2020 / OSH

Publikimi i dokumenteve nga Gjykata Speciale në gjuhën angleze, nxit reagimin e shoqërisë civile

Një ditë më parë Dhomat e Specializuara kanë publikuar dokumentin me anë të së cilës është publikuar aktakuza prej më shumë se 200 faqesh. Mirëpo ajo është publikuar vetëm në gjuhën angleze gjë e cila ka ngritur pakënaqësi në mesin e shoqërisë civile, raporton IndeksOnline.

Në lidhje me këtë ka reaguar Ehat Miftaraj nga KDI-ja, i cili përmes profilit të tij në Facebook ka thënë se sipas Kushtetutës së Kosovës gjuhë zyrtare në Kosovë janë gjuha shqipe, serbe e jo ajo angleze.

Ai ka thënë ndërkaq se Specialja duke qenë e themeluar nga institucionet e Kosovës, ka për detyrë të përfillë e të mos shkel Kushtetutën e Kosovës.

“Ligji mbi dhomat e specializuara por as gjyqtari i procedurës paraprake, as paneli e as gjykata nuk kanë të drejtë të shkelin KUSHTETUTËN e Kosovës qoftë në raport me punën e tyre, qofte në raport me komunikim me publikun në Kosovë. Është ndërtuar praktika ku dokumentet e gjykatës publikohen në gjuhën angleze, duke injoruar dhe shkelur obligimin kushtetues dhe ligjor për të publikuar këto dokumente edhe në gjuhën shqipe në të njëjtën kohe.

Sipas tij kjo gjykatën nuk mundet të fitoj besimin e publikut të Kosovës, ku gjatë ushtrimit të mandatit të saj bën shkelje të Kushtetutës.

“Më e pakta që presim nga kjo gjykatë është të respektojë dhe nderojë Kushtetutën e Kosovës, mbi bazën e së cilës edhe e ushtrojnë mandatin dhe përgjegjësitë gjykatësit, prokurorët dhe administrata e kësaj gjykate”, ka shkruar Miftaraj në Facebook.