Publikohen foto të reja të kometës ndëryjore që i afrohet Tokës
Teleskopi Hapësinor Hubble dhe sonda Juice e Agjencisë Hapësinore Evropiane kanë kapur foto të reja mahnitëse të kometës ndëryjore 3I/ATLAS.
Ky udhëtar hapësinor, i cili buron nga jashtë sistemit tonë diellor, po i afrohet Tokës dhe do të kalojë në distancën e tij më të afërt me planetin tonë më vonë këtë muaj.
I zbuluar në korrik, 3I/ATLAS është vetëm objekti i tretë ndëryjor i regjistruar ndonjëherë në lagjen tonë kozmike, gjë që ka ngjallur interes të madh nga astronomët në të gjithë botën, shkruan CNN.
Hubble, i cili për herë të parë kapi një imazh të detajuar të kometës në korrik, e vëzhgoi atë përsëri më 30 nëntor. Imazhi i fundit, i marrë nga një distancë prej 286 milionë kilometrash, është edhe më i qartë dhe më i detajuar falë Kamerës me Fushë të Gjerë 3.
Ndërkohë, misioni Jupiter Icy Moons Explorer, i cili po udhëton drejt Jupiterit dhe hënave të tij të akullta, gjithashtu arriti të kapë një fotografi të kometës.
Në fillim të nëntorit, sonda u gjend në një pozicion ideal, në një distancë prej rreth 66 milionë kilometrash, dhe përdori pesë nga instrumentet e saj shkencore për të vëzhguar.
Kometa është e rrethuar nga një re gazi e ndezur, por edhe dy bishta të veçantë. Njëri është një bisht plazme, i përbërë nga gaz i ngarkuar elektrik, ndërsa tjetri është një bisht pluhuri më i zbehtë, i përbërë nga grimca të ngurta të lëshuara nga bërthama. Kjo strukturë është tipike për kometat nga Sistemi ynë Diellor, të cilat nxehen pranë një ylli dhe lëshojnë material, duke krijuar bishta dallues.
Kometa ndëryjore 3I/ATLAS do të bëjë afrimin e saj më të afërt me Tokën më 19 dhjetor, kur do të jetë rreth 270 milionë kilometra larg. Ajo nuk përbën kërcënim për planetin tonë, pasi që do të jetë në anën tjetër të Diellit. Për krahasim, Toka është rreth 150 milionë kilometra larg Diellit./Indeksonline/

