75 Mall Live Search
07:55 / E Enjte, 04 Dhjetor 2025 / MSH

Publikohen pamje nga Shtëpia e Epstein-it/ Demokratët nxjerrin fotot nga ishulli privat

Demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve publikuan të mërkurën një sërë fotosh dhe videosh të marra nga ishulli privat i Jeffrey Epstein në Karaibe, duke ofruar një vështrim të rrallë në vendin ku financierit të ndjerë i janë atribuuar akuza për trafikim të vajzave të mitura.

Materialet e reja tregojnë ambientet e brendshme të vilës së Epstein, përfshirë dhoma gjumi, një zyrë, bibliotekën e tij si dhe një dërrasë të zezë ku me shkumës ishin shkruar fjalët intelektual, fin, manipulim dhe fuqi. Një tjetër dhomë tregon një karrike dentare dhe maska të varura në Mur. Sipas New York Times partnerja e fundit e Epstein ishte me profesion dentist dhe kjo shërbente si një zyrë e kompanive të tij guackë.

Fotot dhe videot janë marrë nga autoritetet ligj zbatuese të Ishujve Virxhin të SHBA dhe datojnë nga viti 2020, një vit pas vdekjes së Epstein në burg.

Epstein ishte pronar i dy ishujve në Ishujt Virxhin, mes tyre Little St. James, të cilin disa banorë lokalë e quanin “ishulli i pedofilit”. Në vitin 2022, prokuroria e Ishujve Virxhin arriti një marrëveshje prej mbi 100 milionë dollarësh me pasurinë e Epstein, pas pretendimeve se “dhjetëra vajza dhe fëmijë u trafikuan, u abuzuan dhe u mbajtën të izoluar” në ishullin privat të financierit.

Edhe pse pamjet e publikuara të mërkurën nuk nxjerrin në dritë prova të reja, ato duken si përpjekje nga Kongresi për të rritur presionin ndaj administratës Trump, ndërsa afati i 19 dhjetorit po afron për Departamentin e Drejtësisë që të publikojë dokumentet e kërkuara.

Një grup bipartizan ligjvënësish kërkuan gjithashtu nga Prokurorja e Përgjithshme, Pam Bondi, një përditësim mbi progresin e publikimit të dokumenteve. Robert Garcia, anëtar i Komisionit të Mbikëqyrjes në Dhomën e Përfaqësuesve tha se ata nuk do të ndalen deri sa të vihet drejtësi për viktimat.

Ai shtoi se komisioni ka marrë gjithashtu dokumente nga bankat JP Morgan dhe Deutsche Bank, të cilat pritet të publikohen së shpejti.