Publikohet agjenda e Forumit të parë Ekonomik Kosovë-Portugali

Gjatë tërë ditës së sotme do të mbahet Forumi i parë Ekonomik mes Kosovës dhe Portugalisë.
Me fillim nga ora nëntë, në Prishtinë do të nisë ky forum, që pritet të bashkojë biznese të shumta nga Kosova dhe Portugalia.
Ceremonia hapëse do të bëhet nga ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci, si dhe nënkryetari i Kuvendit të Portugalisë, Marcos Perestrello.
Të trija palët do të kenë fjalët hyrëse të tyre, për të vazhduar më pas me fjalimet e përfaqësuesve të asociacioneve ekonomike, shkruan Indeksonline.
Palët do të nënshkruajnë memorandumin e bashkëpunimit, për të vijuar me pikat e radhës në agjendë, ku përfshihet prezantimi i kompanive portugeze nga fusha e ndërtimit, farmaceutikës, turizmit, agrikulturës, energjisë së ripërtëritshme, e kështu me radhë./Indeksonline/


