Publikohet autopsia për vrasjen e Ilaria Sulës, “Ish i dashuri e goditi 3 herë….”

llaria Sula u godit tre herë me thikë në qafë dhe vdiq nga shoku hemorragjik. Këto janë rezultatet e para të autopsisë së kryer në Institutin e Mjekësisë Ligjore të La Sapienza, me urdhër të prokurorisë së Romës për 22-vjeçaren shqiptare, e cila u vra në mënyrë makabre nga ish i dashuri i saj filipinez, Mark Antony Samson.
Për momentin, autopsia nuk mund të përcaktojë ditën dhe orën e vdekjes së vajzës, trupi i së cilës u gjet në një valixhe, 40 kilometër larg Romës. Për këtë do të nevojiten analiza të mëtejshme, rezultatet e të cilave do të arrijnë në javët në vijim.
Ish i dashuri i 22-vjeçares, Mark Samson pranoi vrasjen duke rrëfyer se Ilarias ia mori jetën në shtëpinë e tij, në lagjen afrikane të Romës, ndërkohë që në banesë ndodheshin edhe prindërit e 23-vjeçarit.
Hetimi nga prokuroria e Romës synon të zbardhë një sërë aspektesh që lidhen me orët e fundit të jetës së Ilarias, përfshirë këtu rolin e babait dhe nënës së Mark Samson.