17:50 / E Martë, 12 Dhjetor 2023 / MSH

Publikohet dokument nga Këshilli i Investitorëve Evropianë, Bislimi: Kosova synon punë dhe drejtësi

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, mori pjesë në ngjarjen e zhvilluar në kuadër të publikimit të “White Book 2023” nga Këshilli i Investitorëve Evropianë. Ky dokument jep rekomandime e sugjerime strategjike nga burime të ndryshme e të sektorëve të ndryshëm brenda atij privat.

Në fjalën e tij, zëvendëskryeministri Bislimi tha se Qeveria e Republikës së Kosovës, që në fillim të mandatit ka potencuar dy synime kryesore: punë dhe drejtësi. Komponent i rëndësishëm në promovimin e këtyre objektivave e sidomos në rritjen e punësimit, është edhe rritja e investimeve të huaja. Indikatorët makroekonomikë e sidomos ato që lidhen me rritjen e punësimit dhe investimeve të huaja në këtë mandat kanë shënuar rritje të dukshme.

Ai shtoi se rekomandimet e këtij publikimi do të shërbejnë për ne si udhërrëfyes për të parë se në cilat fusha mund të bëjmë edhe më shumë. Kosova ofron ambient atraktiv të të bërit biznes, dhe lehtësira e masa incentivuese si regjistrim të biznesit pa kosto administrative apo regjistrim i shpejtë i biznesit për vetëm dy ditë.

Hapa të tjerë të rëndësishme janë bërë për lehtësimin e ambientit të të bërit biznes, si mbajtja e normës së njëjtë të tatimit për korporata, por edhe të punësuarit, në të njëjtën kohë kur të hyrat buxhetore nga këto tatime janë rritur. Gjithashtu dhe përmes reformës thelbësore të zvogëlimit të barrës administrative, ne po zvogëlojmë e thjeshtësojmë shumicën e procedurave për dhënien apo marrjen e licencave, si dhe një pjesë e madhe e shërbimeve publike adresuar komunitetit të biznesit, tashmë në formë të thjeshtësuar mund të qasen në formë elektronike.

Përmes rritjes së performancës së administratës tatimore e doganore, kemi ulur në masë të madhe dhe informalitetin në ekonomi, e kjo nënkupton për bizneset që ka terren më të përshtatshëm e të barabartë të ambientit të të bërit biznes. Themelimi i Gjykatës Komerciale e cila mundëson trajtimin më të shpejtë të mosmarrëveshjeve ndërmjet bizneseve, është një tjetër aspekt pozitiv e që në raportet e mëhershme ka qenë ndër shqetësimet më të mëdha.

Qasja në kredi apo financa është shumëfishuar, e si shembull gjatë vitit të kaluar kemi mbi 2.9 miliardë euro kreditim të biznesit, që është rreth 100% më shumë se katër vite më herët.

Aktualisht, Kosova është në negociata të vazhdueshme dhe për Planin e Rritjes, përmes të cilit planifikojmë të kemi akses në rreth 950 milionë euro të BE-së, ku pjesa më e madhe janë kredi të buta e që do përdoren tutje për projekte investive. Kjo është me interes edhe për komunitetin e biznesit, e sidomos për investitorët e huaj.

Në përfundim, zëvendëskryeministri Bislimi theksoi se qeveria po angazhohet maksimalisht që rritja ekonomike e regjistruar të jetë e qëndrueshme, e të ketë shpërndarje në mënyrë të barabartë tek të gjithë qytetarët e vendit e akterët e shoqërisë.

Në këtë ngjarje ishin prezent dhe ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde, ambasadori i Francës, Olivier Guerot, ambasadorja e Sllovenisë, Minca Benedejcic, shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog si dhe përfaqësues të tjerë diplomatik e akterë të shoqërisë civile.