Publikohet shifra që Policia e Kosovës pagoi për 15 skuterë!
Policia e Kosovës ka blerë 15 skuterë të cilët do të përdoren nga policët që marrin pjesë në trajnime për përdorimin e mjeteve motorike në Akademinë e Sigurisë Publike në Vushtrri.
I gjithë ky investim në skuterët e tipit “Piaggio” i ka kushtuar këtij institucioni 82.500 euro. Kështu kanë thënë për “Indeksonline” zyrtarë e PK-së ku, sipas tyre, kostoja për një të tillë ishte 5500 euro copa. “Janë blere gjithsejte 15 skuterë. Çmimi për copë është 5500 euro” thanë ata.
Këto mjete motorike janë të dedikuara për patrullim policorë fillimisht vetëm në regjionin e Prishtinës dhe Prizrenit duke lënë mundësinë që mund të përdoren më vonë edhe në regjionet tjera.
“Nuk janë ne kuadër te njësive te motoristeve por ne stacione policore ne njësi intervenuese,” u theksua në përgjigjen e Zyrës për Informim të Policisë së Kosovës.
Tani, sipas tyre, për përdorimin e këtyre skuterëve po trajnohen 15 policë por në të ardhmen priten që numri të shkoj deri në 22 policë.
Ndryshe, i gjithë ky trajnim do të zgjas pesë javë dhe ndahet në dy faza, ku në pjesa e parë përfshinë ligjëratat në klasë kurse tre javët e tjera në poligon. Më pas policët të cilët do ta kalojnë testin do të vazhdojnë trajnimin edhe dy javë në qytet./Indeksonline/