Punësimet familjare të disa drejtorëve në Han të Elezit, Rufki Suma: Jemi komunë e vogël, jemi shumica farefis…!

Më datën 10 dhjetor në komunën e Hani i Elezit kanë dalur rezultatet përfundimtare të konkursit në çerdhen publike të kësaj komune për pozitën edukatore dhe atë të kuzhinieres.
Partia Demokratike e Kosovës dega në Han të Elezit, është ankuar për këtë konkurs se personat që janë pranuar kanë lidhje familjare me drejtorët e kësaj komune.
Bëhet fjalë për Gentiana Berishën e cila është vajza e vëllaut të nënkryetarit të komunës Mallzum Qajani, si dhe Albulena Bela, e cila është vajza e drejtorit për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, Izaim Bela. Të dyja këto janë punësuar në pozitën e edukatores, shkruan IndeksOnline.

Ndërsa siç shihet tutje kandidate që kanë qenë në krye të listës ( si rasti i Amina Dacit) gjatë testit me shkrim, kanë përfunduar në fund të listes përfundimtare.

Konkursi nuk ka përfunduar këtu, meqë pozita të lira ka pasur edhe për kuzhiniere në këtë çerdhe, ku është zgjedhur gruaja e drejtorit të Shërbimeve Publike Refet Kalis, Valdete Kalis.
E për të sqaruar këtë situatë dhe se a ka pasur favorizim të këtyre personave gjatë konkursit, IndeksOnline ka kontaktuar me kryetarin e komunës, Rufki Suma.
Ai ka thënë se për vlerësimin e këtyre kandidatëve ka qenë një komision i emëruar dhe nëse ata kanë vlerësuar se ato kanë plotësuar kriteret, atëherë ka ndodhur edhe pranimi i tyre.
Sipas tij Hani i Elezit është komunë e vogël, andaj lidhjet farefisnore janë të pashmangshme.
“Ka pasur komision nëse kanë dal më të mirët janë pranu. Nëse i këqyr lidhjet familjare krejt Hani i Elezit jemi farefis. Për këtë nuk e di, nuk i kam pa lista. Nëse e këqyr nuk ka njeri në komunë që se ka, ja një shokë, ja baxhanak, ja diçka dikë. Hani i Elezit është i vogël, çdo person ka të njofshëm është në lidhje farefisnore me dikë”, tha Suma për IndeksOnline.