11:30 / E Enjte, 12 Maj 2022 / k.v

​Punëtorët e KEDS-it sërish në grevë, paralajmërojnë masa më radikale

Punëtorët e KEDS-it edhe sot kanë mbajtur grevë dy orëshe, duke kërkuar rritje pagash për 100 euro. Ata thonë se po injorohen nga menaxhmenti i KEDS-it, derisa pas grevës së nesërme kanë paralajmëruar masa më radikale.

Punëtorët e KEDS-it duke brohoritur “Duam paga”, dhe me pankarta “Jemi në grevë”, për të dytën ditë më radhë mbajtën grevë para objektit të kësaj kompanie.

Zëdhënësi i Sindikatës së punëtorëve të KEDS-it, Ahmet Mujeci tha për KosovaPress, se të premten është dita e fundit e grevës dhe nëse nuk do të plotësohen kërkesat e punëtorëve nga menaxhmenti, ata do të marrin masa të tjera më radikale.

“Sot është dita e dytë që jemi në grevë këtu dhe ende nuk ka reflektuar asgjë bordi dhe menaxhmenti i KEDS-KESCO. Kërkesa jonë e vetme është ngritje page prej 100 euro për të gjithë punëtorët tanë, ndërsa menaxhmenti dhe bordi i KEDS’it, janë në heshtje totale”, tha ai.

Sipas Mujecit, të gjithë këta punëtorë janë të certifikuar profesionalisht për punën që bëjnë dhe nëse atyre nuk ua rrisin pagat, ashtu siç po kërkojnë, të njëjtit do të ikin nga vendi për të gjetur një punë më të mirë.

“Kompania siç po e shihni edhe mbrapa këtu, përbëhet prej teknikëve të elektros të cilët shumica prej tyre paguhen 490 euro, gjë që është pak, të gjithë këtu janë të certifikuar si mjeshtër profesionistë të elektros, andaj kjo pagë është minimale për punën që e bëjnë këta, këta teknik këtu të gjithë janë të certifikuar janë super eksperta po ua përgatisim shteteve të huaja që po ikin shumica, një pjesë edhe tash po e lëshojnë vendin e punës po i përgatisim për vende të tjera që sigurisht që atje do të paguhen përmbi 3 mijë euro” tha Mujeci.

Greva vazhdon edhe nesër para objektit të KEDS-KESCO.