75 Mall Live Search
11:33 / E Mërkurë, 30 Prill 2025 / MSH

Punëtorët e ndërtimtarisë dhe gastronomisë – më kërkuesit për të emigruar

Instituti GAP ka publikuar raportin e fundit rreth emigrimit dhe tregut të punës në Kosovë, duke u fokusuar në disa pika kryesore të faktorëve që po ndikojnë në emigrimin e punëtorëve, si dhe përqindjet rreth numrit të të punësuarve në kategori të ndryshme.

Sipas raportit, demografia e personave që kanë prirje për të emigruar janë kryesisht moshat e reja, që janë kyç për tregun e punës në vend.

“Po ashtu, sektorët nga të cilët personat e punësuar në Kosovë kryesisht emigrojnë, janë sektorë me produktivitet të lartë në ekonominë e Kosovës, ku përfshihen ndërtimtaria, prodhimi, tregtia dhe gastronomia. Për shembull, vetëm në sektorin e prodhimit, çdo punëtor kontribuon me rreth 28,336 euro si vlerë e shtuar ekonomike në vend. Kjo reflekton ndikimin e përgjithshëm negativ ekonomik si rrjedhojë e largimit të punonjësve nga këta sektorë. Nga ana tjetër, sfidë në tregun e punës paraqet edhe emigrimi i personave të kualifikuar të punësuar në sektorë si kujdesi shëndetësor, edukimi, teknologjia e informimit dhe komunikimit dhe të tjera vitale për mirëqenien sociale dhe zhvillimin ekonomik të vendit”, thuhet në raportin e GAP-it, duke cituar Agjencinë e Statistikave.

Sipas raportit, përqindja më e madhe e punëtorëve në Kosovë janë të punësuar në kategorinë e tregtisë me shumicë dhe pakicë, 84 mijë e 154 të tillë.

Por, ata që planifikojnë të emigrojnë i përkasin kategorisë së ndërtimtarisë, dhe hotelerisë dhe gastronomisë – 18.7%.

Përqindja më e ulët e punëtorëve që planifikojnë të emigrojnë janë të angazhuar në bujqësi, pylltari dhe peshkim – 2.6%, shkruan IndeksOnline.

“Sektori privat në Kosovë, duke u përballur me sfidën e mungesës së punëtorëve brenda vendit, është fokusuar në tërheqjen e fuqisë punëtore të huaj. Marrëveshje të ndryshme kanë ndikuar që përveç personave nga shtetet e rajonit, në Kosovë të imigrojnë persona nga shtetet e largëta aziatike, për arsye punësimi. Sipas të dhënave më të fundit të MPB-së në Kosovë, numri i personave të huaj të cilët janë pajisur me leje-qëndrime në Kosovë në 2024 ishte 8,293, prej tyre, 4,273 apo rreth gjysma e lejeve janë lëshuar për arsye të punësimit, krahasuar me gjysmën tjetër që kanë për arsye bashkimin familjar, studimet, etj. Megjithatë, duke krahasuar vendimet për leje-qëndrime për herë të parë dhe ato si vazhdimësi, rezulton se çdo vit, numri i vendimeve për vazhdimësi është më i lartë” thuhet në raport.

47 mijë e 545 punëtorë janë të angazhuar në sektorin e prodhimit, me 12.9% të tyre të planifikojnë të emigrojnë.

Rreth 7.1% e të punësuarve në shëndetësi dhe edukim gjithashtu planifikojnë të emigrojnë, e në këto dy sektorë janë të angazhuar 58 mijë e 478 punëtorë.

Këto janë statistikat e publikuara nga GAP-i: