11:03 / E Enjte, 21 Mars 2019 / indeksADMonline

Punëtorët e Pallatit të Rinisë hyjnë në grevë, ndërpresin të gjitha aktivitetet sportive

Sërish janë shfaqur probleme me pagat e punëtorëve të Pallatit të Rinise, ata po hyjnë në muajin e tretë që nuk kanë marrë rroga.

Për këtë arsye ata sot kanë marrë vendim që të futen në grevë dhe të ndërpresin të gjitha aktivitetet sportive derisa komuna të bëjë pagesat e punëtorëve, raporton Indeksonline.

Përveç kësaj, ata kanë shfaqur pakënaqësi edhe për mosinvestimin e Komunës së Prishtinës në këtë qendër sportive.

Ata kërkojnë mirëkuptim edhe nga ekipet sportive pasi që janë të detyruar të marrin këtë vendim sepse nuk mund të vazhdojnë më me këtë gjendje të punojnë.

“Shpend Ahmeti dilke rrihte gjoks para mediave se unë e kam kthy këtë aset në menaxhim të komunës dhe se tash kena me investu e kena me ndryshu këtë gjendje. Por u bënë 6 muaj edhe komuna s’ka bërë asgjë në këtë drejtim” ka thënë  njëri nga përfaqësuesit e grevisteve, Adem Bucolli.

Në këtë takim janë ftuar edhe përfaqësuesit e ekipeve sportive ku kanë debatuar rreth këtij vendimi,  punëtorët e pallatit kanë kërkuar të përkrahen edhe nga ekipet sportive që t’i bëjnë presion komunës për këto pagesa dhe për investime pasi që kjo do të jetë në të mirë të të gjithëve.

Punëtorët paralajmërojnë se do ta përshkallëzojnë protestën dhe javën tjetër thonë se do t’i mbyllin edhe lokalet afariste nëse nuk merren parasysh kërkesat e tyre.

Këshilli grevistë i punëtorëve kanë kritika edhe për menaxhmentin e Pallatit të Rinisë, pasi që edhe ata kanë përgjegjësi për këtë çështje./Indeksonline/