75 Mall Live Search
11:26 / E Enjte, 06 Nëntor 2025 / F.R

Punëtorët e RTK-së gjashtë ditë pa paga, kërkohet nga Kurti që urgjentisht t’i alokojë buxhetin, Bimbashi: RTK-ja do të mbrohet

“Punëtorët e RTK-së, jo viktima të krizës”, “Gazetar pa pagë=demokraci pa zë” ,”Kërkojmë dinjitet, jo mëshirë”, “RTK-ja nuk hesht edhe në errësirë” , janë këto mbishkrimet që punëtorët e RTK-së mbajnë në duar teksa kërkojnë të marrin asgjë më shumë sesa pagën e tyre të cilën nuk e kanë marrë që gjashtë ditë.

Përfaqësuesi i sindikatës, Gëzim Bimbashi u ka bërë thirrje, kuvendit, qeverisë dhe menaxhmentit të RTK-së që të reflektojnë, e në rast se nuk bëhet kjo atëherë ata kanë paralajmëruar grevë të përgjithshme, duke paralajmëruar edhe se ajo mund të përshkallëzohet.

“Jemi këtu jo për luks, e jo për rritje pagës fatkeqësisht por për rritje të pagës por për një të drejtë themelore për pagën tonë që na takon me ligj. Në vend që të protestojmë për përmirësimin  kushteve të punës apo rritje të pagës ne jemi të detyruar të dalim në rrugë për pagat që i kemi fituar me djersë dhe përkushtim. Në gjithë shtetin pagat janë ngritur, të paktën kështu thuhet. Por në RTK punëtorët nuk po marrin as ato që i meritojnë për punën që bëjnë çdo ditë me më shumë përgjegjësi. Kjo nuk është thjeshtë padrejtësi, është fyerje për punën dhe dinjitetin e secilit punëtorë në RTK. Ndërkohë deputetët e Kuvendit të Kosovës vazhdojnë të i marrin pagat e tyre rregullisht, cdo muaj pa asnjë vonesë. Por për ne punëtorët që mbajmë gjallë transmetuesin publik askush nuk është kujtuar. E them qartë se për këtë situatë përgjegjësi kanë të gjithë, kuvendi, qeveria dhe menaxhmenti i RTK-së. RTK është institucion publik dhe pasuri e qytetarëve të Kosovës, por sot për shkak të neglizhencës rrezikohet vet funksionimi i saj. Pa paga, pa respekt dhe pa mbështetje asnjë institucion nuk mund të mbijetojë. Ne kemi qenë të durueshëm por durimi jonë ka kufij. Nëse brenda një kohë të shkurtër nuk gjendet zgjidhje, sindikata e punëtorëve të RTK-së do të shqyrtojë mundësitë ligjore për hyrje në grevë të përgjithshme. Dhe nëse vazhdohet me heshtje e shpërfillje protestat tona edhe mund të përshkallëzohen”, tha Bimbashi.

Ai teksa bëri disa pyetje, theksoi se RTK-ja do të mbrohet dhe nuk do të lejohet të shkelet dinjiteti i punëtorëve.

“Në fund kam pyetje të vetme për të gjithë skemën politike të vendit. Çfarë jeni duke dashur të bëni me RTK-në? E presim këtë përgjigje. A po e lini qëllimisht të rrënohet? A po prisni të shuhet zëri i shërbimit publik të Kosovës? Dua ta them qartë dhe fortë; kjo nuk do të ndodhë me asnjë çmim. RTK-ja do të mbrohet dhe punëtorët e saj do ta mbrojnë me dinjitet, me vendosmëri dhe forcën e ligjit. Kur jemi duke e mbajtur këtë protestë këtu, një ekip shume  madhe e Televizionit Publik është duke punuar me orë të tëra, me mbi 13 orë që mos të dështojë asgjë. Kur po mbajmë këtë protestë, shumica e kolegëve tanë po mbajnë emisione, vetëm për të mos me dështu misionin e transmetuesit publik, ani pse nuk kemi paga”, tha ai.

Nënkryetarja e Asociacionit të Kosovës (AGK), Naile Dema-Selmani i ka bërë thirrje urgjente kryeministrit në detyrë, Albin Kurti që t’i alokojë urgjentisht e padiskutime pagat për punëtorët e RTK-së.

“AGK-ja ka vetëm një kërkesë sot. Kërkon në mënyrë urgjente dhe të padiskutueshme nga kryeministri në detyrë Albin Kurti, thjesht t’i alokojë pagat për punëtorët e RTK. Ta bëjë njësoj siç bëri herën e kaluar dhe kështu të ndërpritet presioni edhe financiar që po bëhet ndaj punonjësve medial”, tha ajo.