75 Mall Live Search
08:47 / E Hënë, 10 Nëntor 2025 / Z S

Punëtorët e RTK-së protestojnë sot për pagat

Sindikata e Pavarur e Radiotelevizionit të Kosovës (SPRTK) dhe Shoqata Sindikale e Radio Kosovës kanë njoftuar se sot nga ora 11:00, do të mbajnë protestë para Kuvendit të Kosovës, në shenjë pakënaqësie për mospagesën e pagave dhe mos-ekzekutimin e buxhetit të RTK-së nga institucionet përgjegjëse shtetërore.

Sindikatat kanë shprehur shqetësimin e thellë dhe pakënaqësinë e punëtorëve të RTK-së, të cilët, siç kanë thënë kanë mbetur pa paga mujore, duke u përballur me vështirësi në përmbushjen e obligimeve ndaj bankave dhe nevojave bazike familjare.

“Vonesa të tilla të pajustifikueshme po e godasin drejtpërdrejt sigurinë ekonomike dhe sociale të punëtorëve të RTK-së. Ky veprim përbën shkelje të të drejtave themelore të punëtorëve për pagë të rregullt dhe kushte të denja pune”, kanë thënë ato.

Sipas sindikatave në fjalë mos-ekzekutimi i buxhetit rrezikon pavarësinë editoriale dhe misionin publik të RTK-së si transmetues i pavarur dhe shërbyes i interesit qytetar. Ato e cilësojnë të papranueshme që një institucion me rol kushtetues në informimin e drejtë të qytetarëve të lihet në pasiguri financiare për shkak të, siç thuhet, “neglizhencës institucionale”.

Sindikatat u kanë bërë thirrje edhe njëherë Kuvendit të Kosovës, si themelues i RTK-së, presidentes së republikës dhe qeverisë në detyrë, që të ndërmarrin menjëherë hapat e nevojshëm për ekzekutimin urgjent të buxhetit të mbetur të RTK-së, në mënyrë që të garantohet funksionimi normal i transmetuesit publik dhe dinjiteti i punëtorëve të tij.

Edhe Sindikata e Punëtorëve të RTK-së (SPERTK) ka paraljmruar protestën e dytë me radhë të enjten, para objektit të RTK-së 1, në orën 11:15. SPERTK-ja paralajmëron se, nëse edhe pas kësaj proteste nuk ka reagim institucional, do të pasojë greva e përgjithshme.

Kujtojmë se në RTK ekzistojnë tri sindikata që përfaqësojnë punëtorët e transmetuesit publik: Sindikata e Pavarur e RTK-së; Shoqata Sindikale e Radio Kosovës; dhe Sindikata e Punëtorëve të RTK-së./Indeksonline/