09:27 / E Hënë, 11 Shkurt 2019 / indeksADMonline

Punëtorët e Shërbimit Korrektues në protestë, kërkojnë koeficientë të barabartë me Policinë e Kosovës!

Të pakënaqur me koeficientin e pagave janë shprehur edhe punëtorët e shumë qendrave Korrektuese në Kosovë.

Për këtë arsye, sindikalistët e Shërbimit Korrektues kanë dalë sot në protestë nga ora 08:00 deri në ora 09:00.

Punëtorët e Shërbimit Korrektues janë duke kërkuar koeficientë të barabartë me Policinë  e Kosovës dhe që rrezikshmëria e tyre të jetë 40%, duke shtuar se puna e tyre nuk është aspak e lehtë.

Protesta sot është zhvilluar në Qendrën Korrektuese të Dubravës, asaj të Lipjanit si dhe të Sigurisë së Lartë.

Indeksonline ka siguruar edhe disa fotografi të protestës tek Burgu i Sigurisë së Lartë, përderisa një protestë e ngjashme është paralajmëruar të zhvillohet të enjten para objektit të Ministrisë së Drejtësisë.

Ndryshe Kryetari i Sindikatës së Shërbimit Korrektues të Kosovës në nivel Kosove, ka thënë se nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen përmes kësaj protestë njëorëshe, ata do ta diskutojnë mundësinë edhe për protesta në Prishtinë.

“Përmes ministrit të Drejtësisë kemi kërkuar që Ligji për Paga të mos kalojë. Me të vërtetë është bërë një padrejtësi, kemi një punë bukur të rëndë, në shumë raste edhe ne kemi të lënduar, dhe le të trajtohemi ashtu siç e meritojmë”, ka thënë Sadikaj.

Së fundmi në Kosovë, të pakënaqur me Ligjin për paga janë shprehur disa sektorë publik. Pakënaqësia e tyre ka rezultuar me protesta e greva, ku shquhet ato të mësimdhënësve dhe të mjekëve.