Punimet në renovimin e stadiumit “Adem Jashari” pritet të fillojnë gjatë këtij muaji

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, gjatë ditës së sotme ka pritur në takim përfaqësuesit e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, të kryesuar nga Ibër Alaj, sekretar i përgjithshëm dhe Fitim Arifi, drejtori i Departamentit të Sportit, me të cilët është biseduar rreth projektit për renovimin e stadiumit “Adem Jashari” në Mitrovicë.
Qëllimi i takimit ishte diskutimi lidhur me kompletimin e dokumentacionit të nevojshëm për parcelat e stadiumit si dhe dakordimi i përbashkët në fillimin e punimeve për implementim të projektit.

Me këtë rast, kryetari Bahtiri pasi ka falënderuar MKRS-në për këto investime ka theksuar se komuna e Mitrovicës përmes Kuvendit Komunal ka marrë vendim që 24 parcela kadastrale përreth stadiumit të shpallen me interes të përgjithshëm publik për realizimin e projektit të MKRS në renovimin e stadiumit olimpik “Adem Jashari”.
Ai më tutje ka shtuar se komuna do të punoj me një dinamikë të lartë dhe do të jetë në dispozicion që këto projekte të realizohen me standarde të larta duke iu mundësuar futbollistëve të zhvillojnë talentin e tyre dhe të realizojnë gara vendore e ndërkombëtare.
Projekti i stadiumit “Adem Jashari” në vlerë mbi 12 milionë euro parasheh renovimin e tërësishëm të stadiumit, të ketë parking publik, parkingun për VIP, parkingun për media, park rekreativ, amfiteatër veror, fushat tjera ndihmëse si dhe hapësirën për tifozët mysafir.