Punonjësi i burgut 313 në Tiranë infekton me COVID prindërit e moshuar në Mirditë

Një punonjës i burgut 313 në Tiranë i prekur nga koronavirusi, ka infektuar edhe prindërit e tij të moshuar në fshatin Vele të Mirditës. Sipas burimeve ai kishte vizituar pak ditë më parë prindërit, pa pasur dijeni se ishte i prekur nga coronavirusi, pasi nuk kishte shfaqur shenja klinike.
Kryeministri Edi Rama, duke mos specifikuar punën e djalit me COVID, mori shkas për të bërë një reagim të ashpër, duke thënë se si përgjegjshmëria e një personi që shkeli urdhrin duke lëvizur nga Tirana në një qytet tjetër, mund t’i kushtojë jetën prindërve të tij.
Kreu i qeverisë bëri të ditur se për rastin në fjalë ka nisur hetimi dhe paralajmëron deri në ndëshkim me burg për punonjësin e burgut.
“U shkon prindërve në shtëpi dhe u transmeton bombat në trup! Prindërit dalin të dy pozitivë dhe jo vetëm mosha, po edhe shëndeti i tyre problematik, i kthen në pacientë me jetën në rrezik!!! Natyrisht që për djalin do të nisin hetimet dhe ai mund të ndëshkohet jo vetëm administrativisht, po edhe penalisht, por si mund t’u bëhet një “peshqesh” i tillë njerëzve më të dashur në botë?! A e kuptoni se ne jemi potencialisht armiku vrastar i prindërve tanë, nëse nuk respektojmë rregullat, duke u sjellë si karagjozë të papërgjegjshëm me veten, me prindërit, me familjen e me shoqërinë?! Lus Zotin që ata dy pleq të mos ikin nga kjo botë e të mos mbeten pishmani i jetës së atij djali të papërgjegjshëm dhe ju lutem të gjithëve. Stop me hilet e me karagjozllëqet, sepse mund të bëheni mos o zot, vrasës të njerëzve tuaj më të shtrenjtë”, shkruan Rama.
Shefja e Epidemiologjisë në ISHP, Eugena Tomini iu shmang pyetjes se si do të veprohet me personat e prekur që janë në burg, ku do të mbahen dhe trajtohen dhe nëse bëhet fjalë vetëm për personat që vuajnë dënimin apo edhe staf.
“I kemi shprehur edhe herë të tjera, për cdo rast të dyshuar apo konfirmuar ndiqet protokolli kundrejt izolimit dhe vetëkarantinimit për personat pa simptoma dhe pa klinikë, sigurisht po ndiqet protokolli”, tha Tomini.