Pupovci: Qëndrimi i SBASHK-ut për orët e humbura është befasues
Drejtues të SBASHK-ut vazhdojnë të shprehen kundër zëvendësimit të orëve të humbura gjatë kohës së grevës, derisa të njëjtit janë në pritje të vendimit përfundimtar të gjykatës.
Drejtuesi i Qendrës për Arsim të Kosovës, Dukagjin Pupovci thotë se mos zëvendësimi i orëve të humbura është reflektim i egove personale, por edhe i raporteve të çrregulluara brenda koalicionit PAN.
“Është për t’u befasuar ky insistim i SBASHK-ut që të mos lejojë zëvendësimin e orëve të humbura. Po duket se ky nuk është vetëm reflektim i egove personale, por edhe i raporteve të çrregulluara brenda Koalicionit PAN. Sindikata duhet të jetë në funksion të përmirësimit të pozitës së anëtarëve të vet dhe SBASHK-u ka arritur shumë në këtë drejtim, sidomos me rritjen e fundit të koeficientit në Ligjin për Paga. Ndërkaq, kalendarin shkollor e përcakton Ministria dhe këtë e di fare mirë edhe udhëheqja e SBASHK-ut”, ka thënë ai në një prononcim për Indeksonline.
Sipas tij, kjo është edhe arsyeja që kanë kërkuar nga Gjykata që të merr vendim të përkohshëm për pezullimin e vendimit të MASHT-it, kërkesë e cila është refuzuar.
“Vendimi për zëvendësimin e orëve është në fuqi deri në një vendim tjetër të Gjykatës dhe refuzimi i zbatimit të tij çon në një lloj anarkie, që nuk do të duhej të kultivohet në shoqërinë tonë”, ka shtuar tutje ai.
Pupovci konsideron se mos zëvendësimi i orëve të humbura nuk është pa pasoja, prandaj në kushte normale ato orë do të duhej të zëvendësoheshin.
“Humbja e 8-9% të orëve që parasheh planprogrami i një viti shkollor nuk është pa pasoja, prandaj, në kushte normale ato orë do të duhej të zëvendësoheshin. Tani, është krijuar një situatë kur zëvendësimi edhe mund të mos jetë produktiv, pasi janë krijuar tensione të panevojshme në mes të palëve kryesore prej të cilëve varet mbarëvajtja e punës në shkolla. Prandaj, do të ishte e arsyeshme që MASHT-i dhe SBASHK-u të kërkojnë një rrugë të përbashkët për dalje nga kjo situatë”, ka thënë ai tutje.
Ndryshe, brenda pak ditësh pritet të vendosë gjykata, nëse orët e humbura gjatë kohës së grevës duhet të zëvendësohen ose jo./Indeksonline/