11:10 / E Enjte, 07 Dhjetor 2017 / k.v

Pushon procedura penale ndaj Rastit “Apex”

Gjykata Themelore në Prishtinë ka marr vendim që të pushohet procedura penal ndaj Rastit “APEX”, ku të akuzuar janë Arben e Astrit Krasniqi, pronar të kazionos “Apex” “Play4Win”.

Rastin e ka konfirmuar për Indeksonline avokati Arianit Koci. Ai ka thënë se Gjykata ka hedhur poshtë si të palejuar dhe të parregullt lëndën, andaj procedura penale sipas tij ka pushuar në këtë rast.

Ndryshe, procedura e rastit “Apex” ishte pushuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë në janar të vitit 2016, me arsyetimin se aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), ishte ngritur jashtë afatit ligjor të hetimeve prej dy vjetësh.

Mirëpo, pas ankesës së prokurorisë, kolegji i Apelit në prill të vitit 2016, kishte vendosur që ky rast të kthehet në rivendosje. Apeli me shumicë votash kishte konstatuar se ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme të cilat e justifikojnë pranimin e kësaj aktakuze së ngritur me vonesë prej pak ditësh, duke konsideruar se një vonesë e tillë nuk i provon të pandehurit nga e drejta për gjykim të drejtë.

Aktakuza e ngritur nga prokurori i EULEX-it, Allen Cansick, i ngarkon Arben Krasniqin dhe Astrit Krasniqin se si pronar të kompanisë së kazinos “Apex” “Play4Win”, që nga viti 2008 e deri në 2013 kanë ushtruar aktivitete kriminale si pjesë të grupit të organizuar kriminal./Indeksonline/