Putin dëshiron t’i jep fund luftës me Ukrainën, thotë Trump
Presidenti amerikan Donald Trump tha të mërkurën se homologu i tij rus Vladimir Putin ende dëshiron t’i jep fund luftës me Ukrainën.
“Ai do të donte t’i jepte fund luftës. Ky ishte përshtypja e tyre… Përshtypja e tyre ishte shumë e fortë se ai do të donte të bënte një marrëveshje”, u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, duke iu referuar të dërguarit të tij special Steve Witkoff dhe dhëndrit dhe këshilltarit joformal Jared Kushner.
Vërejtjet e tij erdhën pasi Putin u takua me Witkoff dhe Kushner në Moskë të martën për diskutime mbi planin e rishikuar të paqes të Uashingtonit për Ukrainën. Trump tha se foli me Witkoff dhe Kushner të martën në mbrëmje.
“Mund t’ju them se ata patën një takim mjaft të mirë me Presidentin Putin. Do ta zbulojmë”, tha ai.
Ai përsëriti se lufta nuk do të kishte filluar kurrë nëse ai do të ishte president, raporton KosovaPress.
“Presidenti Putin pati një takim shumë të mirë dje me Jared Kushner dhe me Steve Witkoff. Çfarë del nga ai takim? Nuk mund t’ju them, sepse duhen dy për të kërcyer tango”, tha ai.
Ndihmësi presidencial rus, Yuri Ushakov, tha të mërkurën se SHBA-të janë gati të marrin në konsideratë pikëpamjet e Rusisë për një zgjidhje në Ukrainë.
“Atmosfera është pozitive. Amerikanët janë gati të bëjnë çdo përpjekje për të arritur një zgjidhje afatgjatë e cila, në fakt, përmbush qëllimet tona”, u tha Ushakov gazetarëve, raporton Anadollu.

