Putin është gati të flasë me Trump-in

Presidenti rus, Vladimir Putin, është gati të flasë në telefon më homologun amerikan, Donald Trump, shkruan A2 CNN. Zëdhënësi i Kremlinit, Dimitry Peskov, tha se Moska po pret fjalë nga Uashingtoni kur të jetë gati për të zhvilluar këtë telefonatë.
Trump deklaroi të enjten se donte të takohej me Putinin sa më shpejt që është e mundur për të bërë të mundur fundin e luftës në Ukrainë dhe gjithashtu shprehu dëshirën për të punuar me Rusinë drejt uljes së numrit të armëve bërthamore.
Peskov tha të premten se konflikti në Ukrainë ka të bëjë me sigurinë kombëtare të Rusisë dhe jo me çmimin e naftës. Reagimi erdhi pas deklaratës së Trumpit për ulje të çmimit të naftës.
Pretendimet e Rusisë për rrezikun që i kanoset rusëve që jetojnë në Ukrainë nuk pranohen nga Perëndimi. Prej shkurtit të vitit 2022, Rusia ka nisur luftën në Ukrainë dhe mban në kontroll një pjesë të mirë të territorit të saj. Shifrat mbi ushtarët dhe civilët e vrarë nga të dy palët mbeten të diskutueshme.