Putin falënderon Jong Un-in për luftën e koreanëve në Ukrainë

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e ka falënderuar Kim Jong Unin për guximin e trupave të tij që kanë luftuar në Ukrainë, në anën ruse.
Të dy udhëheqësit u takuan të mërkurën në Pekin, ndërsa Kina mbajti një nga paradat më të mëdha ushtarake të të gjitha kohërave, e cila përkujtoi 80 vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore në Azi, shkruan BBC.
Kjo shënoi herën e parë që udhëheqësi i Koresë së Veriut merr pjesë në një takim ndërkombëtar të liderëve botërorë. Ai rrallë largohet nga Koreja e Veriut dhe zakonisht takohet vetëm me udhëheqës kokë më kokë.
Putin tha se marrëdhëniet dypalëshe midis Rusisë dhe Koresë së Veriut janë miqësore dhe se ushtria e Phenianit ndihmoi në çlirimin e rajonit Kursk.
“Ushtarët tuaj luftuan me guxim dhe heroizëm”, i tha Putin Kim-it gjatë bisedimeve të së mërkurës.
“Dua të theksoj se nuk do t’i harrojmë kurrë sakrificat që kanë pësuar forcat tuaja të armatosura dhe familjet e ushtarakëve tuaj.”
Kim shprehu mirënjohjen e tij për njohjen e udhëheqësit rus dhe tha se marrëdhëniet dypalëshe midis dy vendeve kishin “përparuar në të gjitha fushat”.
“Nëse ka ndonjë mënyrë për të ndihmuar Rusinë, sigurisht që do ta bëjmë si një detyrë vëllazërore.”