13:30 / E Enjte, 26 Janar 2023 / AR

Putin i përgjigjet ashpër Perëndimit, “shi” raketash në të gjithë Ukrainën

Ukraina u zgjua nën një “shi” raketash këtë të enjte, në atë që u duk të jetë një përgjigje e Rusisë ndaj vendimit të SHBA dhe Gjermanisë për të dërguar tanke në Ukrainë.

Sistemet e mbrojtjes ajrore ukrainase rrëzuan një numër raketash ruse me sirenat e alarmit që ranë në të gjithë vendin dhe ndërprerje të energjisë u regjistruan në disa rajone. Sipas autoriteteve në Kiev, Moska kishte lëshuar më shumë se 30 raketa, duke justifikuar urgjencën me të cilën presidenti Zelensky kërkon armatimet e rënda të perëndimit. Ndërsa falenderoi aleatët për tanket, ai bëri thirrje edhe për raketa me rreze të gjatë veprimi.

“Çelësi është tani, te shpejtësia dhe volumi. Shpejtësia e trajnimit te ushtrisë sonë dhe e furnizimit me tanke. Te volumi i tankeve që do të mbërrijnë. Fola me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s dhe i thashë se duhet gjithashtu të nisim furnizimet me raketa me rreze të gjatë veprimi për Ukrainën”, tha Zelensky.

Presidenti Joe Biden njoftoi pasditen e së mërkurës se Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë 31 tanke “Abrams” në Ukrainë, duke i dhënë kështu fund këmbënguljes së Uashingtonit se trupat ukrainase e kishin të vështirë përdorimin dhe mirëmbajtjen e tankeve amerikane. “Abrams” janë tanket më moderne të betejës në botë dhe kërkojnë trajnime të gjatë për të operuar.

“Putin priste që Europa dhe Shtetet e Bashkuara të dobësonin vendosmërinë tonë. Ai priste që mbështetja jonë për Ukrainën të zbehej me kalimin e kohës. Por gaboi. Ai gaboi që prej fillimit dhe vazhdon ta bëjë. Ne jemi të bashkuar”, tha Biden.

Njoftimi i Biden pasoi atë të Gjermanisë për të dërguar në Ukrainë 14 tanke Leopard. Kancelari Olaf Scholz i hapi gjithashtu rrugën vendeve të tjera të dhurojnë tanket e prodhuara në gjermani, po e bëri të qartë se Berlini nuk do të dërgojë avionë lufte. Moska dënoi vendimin si një provokim flagrant dhe u zotua se do të shkatërrojë tanket perëndimore.