75 Mall Live Search
21:12 / E Enjte, 04 Dhjetor 2025 / H F

Putin i vendosur: Rusia do të marrë të gjithë Donbasin, me forcë ose ndryshe

Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se Moska do të marrë nën kontroll të plotë rajonin e Donbasit në Ukrainë, qoftë me forcë ushtarake, qoftë me tërheqjen e trupave ukrainase. Kievi e ka refuzuar kategorikisht këtë kërkesë, duke theksuar se nuk do ta dorëzojë territorin e vet.

Siç shkruan Reuters, Putin dërgoi dhjetëra mijëra trupa në Ukrainë në shkurt 2022, pas tetë viteve luftimesh mes separatistëve të mbështetur nga Rusia dhe ushtrisë ukrainase në Donbas, i cili përfshin rajonet Donetsk dhe Luhansk.

“Ose i çlirojmë këto territore me armë, ose trupat ukrainase largohen,” tha ai për median India Today, përpara vizitës në Nju Delhi.

Rusia kontrollon aktualisht 19.2% të territorit të Ukrainës, përfshirë Krimenë e aneksuar në vitin 2014, gjithë Luhanskun, mbi 80% të Donetskut, rreth 75% të Khersonit dhe Zaporizhias, si dhe pjesë të vogla të rajoneve Kharkiv, Sumy, Mykolaiv dhe Dnipropetrovsk.

Rreth 5 mijë km² të Donetskut mbeten ende nën kontrollin e Ukrainës.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka theksuar se Moska nuk duhet të shpërblehet për luftën që ka nisur vetë, duke refuzuar çdo lëshim territorial.

Rusia ka shpallur në vitin 2022 se rajonet Luhansk, Donetsk, Kherson dhe Zaporizhia janë pjesë e saj pas referendumeve të cilësuara si farsë nga Perëndimi dhe Kievi. Shumica e vendeve vazhdojnë t’i njohin këto rajone, si dhe Krimenë, si pjesë të Ukrainës.

Sjellim ndërmend se këtë javë, Putin priti në Kremlin të dërguarit amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner, duke thënë se Rusia ka pranuar disa propozime të SHBA-ve për Ukrainën dhe se bisedimet duhet të vazhdojnë. Ai e cilësoi takimin “shumë të dobishëm”, duke shtuar se ishte bazuar në diskutimet e tij me presidentin Donald Trump në Alaskë, në gusht.