75 Mall Live Search
20:07 / E Martë, 16 Shtator 2025 / Burim

Putin-Lukashenko me lojëra lufte, dron mbi qeverinë polake, aktivizohet “porta e hekurt”

Baruti i djegur në lojërat e luftës lë pas një aromë kërcënimi në Europë. Çizmet e ushtarëve amerikanë për këtë arsye shkelën tokën e Bjellorusisë për të parë nga afër stërvitjet e forcave të armatosura të atij shteti me Rusinë, Zapad 2025.

Atasheu ushtarak i SHBA-ve u pa në ekspozitën e pajisjeve ushtarake që pasoi stërvitjet. Rusia dhe Bjellorusia filluan manovrat “Zapad-2025”, të premten e kaluar në një kohë tensionesh të larta me NATO-n, dy ditë pasi Polonia rrëzoi dronë rusë që hynë në hapësirën e saj ajrore.

Provokimet nuk kanë përfunduar me kaq. Shërbimi shtetëror i mbrojtjes në Poloni njoftoi se ka neutralizuar një dron që po operonte mbi ndërtesa qeveritare. Dy shtetas të Bjellorusisë janë ndaluar lidhur me incidentin dhe policia po heton për rrethanat dhe arsyet e atij monitorimi. Ky zhvillim vjen në një periudhë të paprecedentë tensionesh mes Moskës dhe Perëndimit.

Madje zëdhënësi i Kremlinit konfirmoi se “NATO është në luftë me Rusinë”. Polonia ka aktivizuar planin e saj ushtarak të koduar “Porta e Hekurt”, duke vendosur rreth 40 mijë trupa pranë kufirit me Bjellorusinë dhe rajonin rus të Kaliningradit.

Ky vendim erdhi si përgjigje ndaj manovrave të përbashkëta ushtarake mes Rusisë dhe Bjellorusisë, të njohura si Zapad 2025. Për të garantuar mbrojtjen e hapësirës ajrore, NATO ka vendosur avionë luftarakë në qiellin e Polonisë, gati për të reaguar në rast të një provokimi të ri.

Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Mark Rutte, paralajmëroi se aleatët janë të vendosur të mbrojnë çdo centimetër të territorit të tyre, duke i bërë thirrje presidentit rus, Vladimir Putin, të ndalë shkeljet ndaj hapësirës ajrore të vendeve anëtare.